Fehmi Sylejmani
Komiteti i Arsimit në Gjilan fare nuk është duke funksionuar, si pasojë e moskordinimit të partisë në pushtet dhe kryesuesit, pavarësisht se kanë kaluar mbi tetë muaj nga marrja e pushtetit të kësaj qeverisje lokale. Jashtëfunksaionimi i këtij komiteti rëndon direkt mbi partinë në pushtet, përkatësisht kryesuesin, i cili është zgjedhur më 24 prill të këtij viti, në mbledhjen e parë konstituive të kësaj trupe profesionale.
Që nga ajo kohë, kryesuesi asnjëherë nuk e ka ftuar këtë komitet për të diskutuar për çështjet rreth arsimit të komunës sonë. Në ndërkohë pas dy muaj e më tepër, nga zgjedhja e tij si kryesues i njofton anëtarët e komitetit përmes postës elektronike se nuk është më kryesues, ngase është emëruar shef i kabinetit te kryetarit, vërtetë një papërgjegjësi totale dhe e pajustifikueshme. E aq më keq, as partia e tij nuk e zëvendëson kryesuesin e dorëhequr, duke hesht sikur të ishte gjithçka në suaza të normales.
Komiteti i Arsimit, si një nga trupat profesionale, rekomanduese, lehtësues, kujdestare, kontrolluese dhe këshilluese për arsimin në përgjithësi, tash e sa muaj, në vend se të diskutojë, debatojë, propozojë, identifikojë çështje të rëndësishme arsimore, ai nuk është takuar fare, pikërisht për shkak të neglizhencës së një individ dhe pa përgjegjësisë totale të kësaj qeverisje. Arsimi përballet më shumë sfida e probleme të natyrave të ndryshme, të cilat duhet trajtuar dhe diskutuar mirë e me kujdes, pa anime politike, veçanërisht në rrafshin profesional, sepse arsimi luan një rol të rëndësishëm në jetën e njeriut. Integriteti i një shoqërie është rezultat i drejtpërdrejtë i një sistemi arsimor cilësor.
Siç e dimë tashmë ka përfunduar edhe viti shkollor për arsimin parauniversitar, teksa asnjë anëtar i komitet të arsimit nuk është në dijeni për raportin dhe suksesin e nxënësve të kësaj komune, si kundër që kohë më parë kanë përfunduar testet për klasat e 9 dhe ato të 12, e që në fakt edhe këto raporte mungojnë.
Në anën tjetër edhe Drejtoria e Arsimit duhet të ndihet e hendikepuar me mosfunksionalzimin e Komitetit të Arsimit, sepse çfarëdo diskutimi apo vendimi që merret në këtë trupë, më pasatja asaj i dërgohet si lloj rekomandimi, e që në fakt për DKA-në duhet të jetë një lehtësim dhe orientim i qartë në detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ekzekutive.
Komiteti i Arsimit pavarësisht se nuk është obligativ, megjithatë për nga natyra e punës profesionale duhet të jetë më: i trajtushëm, i respektuar , i çmuar dhe në asnjë mënyrë i anashkaluar e i nënçmuar apo i nënvlerësuar.
Përderisa në legjislaturën e kaluar të kuvendit komunal, Komiteti i Arsimit ka qenë bindshëm një prej komiteteve më aktive, sivjet ky komitet, me fillim jo të mbarë
dhe si pasojë e moskordinimit të partisë në pushtet dhe kryesuesit, deri më tash pa asnjë takim dhe temë diskutimi, lë për të dëshiruar.
Në rast se nuk funksionalizohet së shpejti ky komiteti, anëtarët tjetër të kësaj trupe do të shfrytëzojnë rrugën ligjore dhe të gjitha mundësitë tjera brenda dispozitave ligjore për ta vënë gjithsesi në funksion të punës këtë komitet të rëndësishëm shoqëror.
Fehmi Sylejmani, anëtar i Komitetit të Arsimit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje!