Gjilan

Komiteti i Pronës i jep përkrahje nismës për ndërtimin e një shtëpi për fëmijët e braktisur

Gjilan, 21 qershor / Komiteti për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë (KGJKP) e ka përkrahur nismën për ndërtimin e një Qendre për fëmijët e braktisur në Gjilan dhe i ka rekomanduar Kuvendit Komunal ridestinimin për këtë qëllim të një lokacioni në lagjen “Zabeli i Sahit Agës”, i cili më herët ishte ndarë për një shtëpi të pleqve, por projekti kishte dështuar.

Sadudin Berisha, drejtor për Kadastër, ka thënë se një shoqatë ekonomike-kulturore në Prishtinë, ka kërkuar bashkëpunim nga Komuna e Gjilanit, për ndërtimin e një Qendreje për fëmijët e braktisur, meqë kanë siguruar një donacion nga shteti i Kuvajtit.

I mbetet Kuvendit të Komunës që të miratojë vendimin për caktimin e lokacionit në lagjen “Zabeli i Sahit Agës”, në një pronë, e cila identifikohet në emër të Republikës së Kosovës e të cilën Kuvendi Komunal i Gjilanit, në vitin 2009 e ka shpallur zonë me interes të veçantë.

Ndërkaq, Drejtorisë së Gjeodezisë, Kadastrës dhe Pronës i mbetet për detyrë që t`i qaset ri-destinimit të kësaj parcele për nevoja të ndërtimit të një shtëpie për fëmijët e braktisur, ka thënë Berisha.

Kjo nismë është përkrahur nga anëtarët e Komitetit, Refik Shala (LDK), Fadil Hajdari (PDK) e Sami Ahmeti (LDK), kurse Arjeta Rexhepi (VV) ka thënë se ajo ka dyshime, meqë sipas saj, nuk është bërë një analizë e mirë e këtij projekti paraprakisht. Edhe Venhar Haziri (LDK) tha se shumë gjera rreth këtij projekti janë të panjohura.

Kryesuesi Refik Shala ka thënë se duhet mirëpritur këtë investim, sepse zgjidh problemin e strehimit të fëmijëve të braktisur, deri në moshën 6-vjeçare si dhe krijon mundësi për hapjen e disa vendeve të punës.

You Might Also Like