Komuna e Gjilanit shënon 7 Marsin – Ditën e Mësuesit, nderon me mirënjohje mësimdhënësit e pensionuar
Gjilan, 7 mars 2023 – Nën organizimin e Drejtorisë Komunale të Arsimit në Gjilan, është shënuar të hënën 7 Marsi – Dita e Mësuesit, në ngjarjen ku janë nderuar me mirënjohje mësimdhënësit e pensionuar nga ana kryetarit të Komunës, Alban Hyseni.
Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, pasi ua ka uruar të gjithë mësimdhënësve Ditën e Mësuesit, ka thënë se duke qenë se arsimi dhe kultura kanë qenë dhe janë themelet e zhvillimit të një shoqërie, fjala e profesioni mësues qëndrojnë në piedestalin e të gjitha profesioneve.
“Arsimi është shtylla e një shoqërie dhe mësuesit janë udhërrëfyesit e dijës. Çdo ditë duhet ta shprehim vlerësimin maksimal për ata që përkushtohen e angazhohen në këtë rrugë që është më tepër se sa një profesion e më shumë se sa një punë. Në këtë festë të dijes nderojmë kontributin e atyre që janë pjesa më e rëndësishme e shoqërisë, të cilët përgatisin brezat e ardhshëm e të ardhmen e vendit tonë”, është shprehur kryetari Hyseni, duke shtuar se do të vazhdojnë të kontribuojnë për arsimin dhe për gjeneratat e reja që janë të etshëm për dituri e dije.
Drejtoresha Komunale e Arsimit, Albana Demiri, ka thënë se historia e shkollës shqipe është historia jonë e përbashkët, e lavdishme dhe e dhimbshme njëkohësisht.
Ajo ka theksuar se “duhet të shprehemi me gjithë admirimin, dashurinë e përuljen tonë para sakrificës, vendosmërisë e guximit deri në flijim, vetëdijes iluministe të nxënësve e mësuesve, atyre që na sollën këtu”.
“Sot shënojmë bashkë edhe një ditëlindje të shkollës shqipe, duke nderuar kështu 7 marsin e vitit 1887 dhe duke u përkulur para etërve themelues të kësaj shkolle, duke vlerësuar vetëmohimin e tyre, besimin e fuqinë iluminuese të shpirtrave të tyre për iluminimin e shqiptarëve të Shqipërisë. Përulemi sot para rilindësve tanë që gatuan momentin e hapjes së kësaj shkolle, para qindra e mijëra mësuesve martirë, të cilët me gjithë qenien e tyre mbrojtën shkronjat e mësimin shqip”, tha ajo.
Në fund, janë dhënë mirënjohje për mësimdhënësit e pensionuar për kontributin nëpër gjenerata, ndërkohë para të pranishmëve është shfaqur një program i pasur kulturor artistik, i përgatitur nga shkolla e muzikës.