Gjilan

Komunikatë për publikun e Degës së PDK-së në Gjilan

Komunikatë për publikun

 

KRYETARI QË PO E FIKË DHE PO E KORITË KOMUNËN!

Të nderuar qytetarë të Gjilanit (dhe më gjërë),

Populli i jonë, nga përvojat shekullore e thorë: “I zoti i shpisë, nuk bën as me u fikë e as me u koritë por, nëse duhet me zgjedhë mes tyne, bën me u fikë por mos me u koritë. Vaj halli nëse t’bëjnë vaki të dyat”!.
E komunës tonë, për fat të keq, me këtë udhëheqje e me këtë kryetar, po i bëjnë vaki të dyat – edhe fika edhe koria.

Pse dhe qysh po na e fikin komunën?

Sepse thjeshtë, kjo udhëheqje e lodhur e komunës së Gjilanit (LDK dhe AAK) me në krye Lutfi Hazirin (me deficit të dies, të vullnetit e të interesimit), po e çon komunën drejtë falimentimit të sigurtë financiar.

1.
Me raportin e Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2019, komuna ka krijue obligime (borxhe) financiare në vlerë prej 10 milionë euro. Por, të meremi vesh, këto borxhe janë konstatue me 31 Dhjetor 2019 e që janë bartur në vitin 2020 të cilin po e jetojmë.
Tani, kur po e shkruajmë këtë komunikim për publikun, ato borxhe janë edhe për ndonjē milion më shumë. Kur e themi këtë, e bazojmë në raportin e Auditorit të vitit 2018 kur komuna kishte 7.7 milionë euro borxhe. Një vit më vonë, siç po shihet, ato u rritën për 2.3 milionë euro dhe arritën në 10 milionë. Dyshimi ynë i bazuar është se aktualisht, ky borxh mund të jetë rreth 12 milionë euro e më shumë.

2.
Nëse kësaj shume i shtohet arritja e ndonjë vendimi përmbarues nga gjykatat për borxhet kontigjente (kërkesat përmes gjykatës të personave juridikë e fizikë ndaj komunës) e që, në fund të 2019 ishin rreth 11 milionë euro, atëherë, vaj halli për komunën tonë.

3.
Pra, siç shihet nga të dhënat e raportit të auditorit, ky kryetar dhe kjo udhëheqje e plogshtë e ka sharrue “deri në fyt” në borxhe komunën tonë. Askush në komunë nuk e ka as idenë se si mund të “lahen” këto borxhe. Komuna, me trendin ekzistues. po shkon “pa krye” drejtë kolapsit të vërtetë financiar.
Thjeshtë, nëse qeveria nuk intervenon me vendim të veçantë dhe me e sanue këtë gjendje, komuna e jonē financiarisht është e falimentuar. Ndërkaq, gjasat që të intervenojë qeveria janë shumë të vogla sepse shpronësimi është bërë për nevoja lokale dhe pa miratimin e saj.
Kësaj pune i thonë “Luaje macë kryt’ e bullit. N’mujsh me e lujtë”?!
Ne si opozitë, së shpejti, me mjete ligjore, do ta marim listën e shpronësimeve nga komuna. Kemi me i tregue popullit të Gjilanit se kur, pse dhe kujt i është bë ky shpronësim. Keni me pa plotë “marifete” të kryetarit e të udhëheqjes tinzare e të kalbur të LDK dhe AAK.

Se po shkojmë kah falimentimi financiar, u pa edhe me investimet plotësisht të gabuara, të dështuara dhe milionëshe nëpër qendrën e qytetit. Një e reshun e shiut na tregoi të gjithëve që ky kryetar dhe kjo udhëheqje po e shkatërron përditë e më shumë substancën e kësaj komune.

Të nderuar qytetarë,

Përveç që po na fikë financiarisht, po ju tregojmë me pak shembuj se ky kryetar e kjo udhëheqje edhe po na koritë shumë.

1.
Pra, te borxhi galopan i krijuar, komuna i fsheh të dhënat dhe çfarë ka ndodhë gjatë viteve financiare në komunë nuk e din saktë as Kuvendi i Komunës.
Te borxhi real (tashmë i krijuar dhe obligativ) prej 10 milionë euro, shumica janë borxhe të shpronësimit (borxhe ndaj pronarëve të tokave dhe patundshmërive tjera) por, këshilltarët e kuvendit të komunës nuk e kanë pa asnjëherë listën e këtyre shpronësimeve. Ata nuk e dijnë se kush po shpronësohet, në çfarë vlere të parasë po shpronësohet dhe për çfarë nevoja publike po i blehet pasuria atij?!

2.
Në raportin e auditorit e pamë që gjatë vitit 2019, komuna u ka dhënë punë pa meritë, në vlerë mbi 4.5 milonë euro katër operatorëve ekonomikë (kryesisht projekte rrugësh). Këta operatorë nuk i kanë plotēsue as kushtet administrative në konkurrencë andaj nuk ka qenë dashtë me u shpërblye fare me kontrata për punë e aq më pak me kontrata disa milionëshe. Ky është mashtrim tipik, është cënim i konkurrencës në ekonominë e tregut të lirë, është shpenzim i gabuar dhe jokualitativ i parasë publike për nevoja të kryetarit dhe të jaranave të tij.

Thjeshtë, kjo është vepër e rëndë penale për ët cilën do të duhej me u përgjigjë pushteti zhvatës i komunës së Gjilanit.

3.
Në raportin e auditorit, më tutje thuhet se pronat komunale ipen në shfrytëzim pa ankand publik e që është e ndaluar me ligj. Këso prona janë disa (por auditori nuk përmend emra). Mereni me mend, një pronë komunale ipet në shfrytëzim duke e vazhduar kontratën pa ankand që nga viti 2013 e këndej. Këtë e bëjnë vetëm ata që s’ja pullatin ligjit hiç, ama bash hiç. E bëjnë sepse, të tillët, ligji kurrë nuk i ka “kafshuar” dhe ka aleancë të heshtur me ta. E bëjnë veç ata që nuk kanë pikë morali para publikut dhe që nuk skuqen kurrë.

4.
Ky kryetar dhe kjo udhëheqje e Gjilanit, japin subvencione jashte rregullores dhe gjatë vitit i njëjti përfitues shpërblehet edhe deri në tri herë edhepse, rregullorja e thotë qartë që një përfitues mund të subvencionohet vetëm një herë brenda një viti financiar. E bëjnë këtë sepse vrapi për me i sigurue votat e ardhëshme, vrapi për me i joshë klientët dhe militantët e partisë, nuk njeh kufij dhe nuk njeh kufizime ligjore.

5.
Ky kryetar dhe kjo udhëheqje kaotike e Gjilanit, ka angazhuar edhe deri në 120 punëtorë me kontrata të përkohëshme të cilët i mban në të shumtën e kohës pa ju vazhdue kontratat 6 mujore. Aq më keq, të njëjtit i ka mbajtur dhe po i mban edhe gjatë kohës së pandemisë kur komunat dhe qeveria e ka ulë nivelin e dhënies së shërbimeve dhe i ka redukue kapacitet e administratës.
Kjo nuk është asgjë tjetër përveç se zhvatje e pastër e parasë së qytetarëve të Gjilanit për asgjë tjetër përveç, siç e thamë, për nevoja elektorale të kastës në pushtët.
Natyrisht që kemi bërë dhe po vazhdojmë të bëjmë pa rreshtur kallxime penale në instancat e drejtësisë (sado zvarritëse dhe selektive që është ajo).

6.
Ky kryetar dhe kjo udhëheqje miope e shuajti shkollën e mesme “Arbëria” që ishte model për shkollat e agrokulturës dhe agrobiznesit, jo veç n’Kosovë por edhe në rajon.
Këtë shkollë, duke e përbuzur dhe duke mos i qëndruar pranë me asgjë (përveç me goditje të përditshme), e “tkurri” pafundsisht dhe e bëri të papërdorshme e për gjynah. Shkolla mbeti bosh dhe sivjet, për me tregue që përnime janë pa pikë vizioni e pa pikë ndjeshmërie për të ardhmen e kësaj komune, drejtoratin e arsimit e paska que atje, në atë ndërtesë që është hiç më pak se nja 7 deri 10km prej qendrës shkollore. Me një fjakë, kryetari komunës bashkë me drejtorin e arsimit, “kokës” së arsimit të komunës ia paska “dhënë malin”.
Në realitet, edhe nuk është pritë diçka tjetër nga njerëzit që kurrë nuk e kanë dashtë shkollën. Kryetari dhe drejtorët e tij në shumicë janë të tillë. Atyre përherë u ka dhimbtë koka duke e lexue parathënien e ndonjë libri dhe kurrë ndonjë libri nuk i kanë shkue deri në fund.
Politikën, Makiaveli, 500 vite më pare, e ka definu si fushën më komplekse të aktivitetit njerëzor, si fushën më paradoksale, me shumë të panjohura brenda saj dhe me fare pak moral brenda ekstremeve të saj. Andaj, popullit të Gjilanit, me këtë kryetar, me këta drejtorë e me këtë koalicion të çuditshëm, s’po i ndodh gjë tjetër përveç makiavelizmit në kuptimin më negative të tij.

7.
Dhe për fund të këtij komunikimi me publikun e komunës (dhe më gjërë), pasiqë ky kryetar dhe kjo udhëheqje (sa e paditur aq më shumë qëllimkeqe), e lodhi shumë komunën tonë, si pasojë, në prezemtimin e konkurrencës së komunave për ambient biznesor local që e bëri USAID me RIINVEST, doli “meritueshëm” në fund të listës së 38 komunave të Kosovës. Doli e 31-ta në listë.
S’ka kori ma të madhe për Gjilanin. Ska ku bjen më pashtë.
Komuna e cila, para mandateve të LDK-AAK ishte shembull për të mirë dhe i kryesonte listat në secilën konkurrencë tani ka ra “n’fund t’pusit” sepse ata që e udhëheqin nuk e duan. E përjetojnë si të huajën, si dikur “të dërzhavës”. Nuk e kanë pikën e dashnisë për të andaj edhe nuk e ruajnë, nuk e forcojnë, nuk e rrisin dhe nuk e zhvillojnë.
Këta njerëz që fatkeqësisht dhe aksidentalisht janë instalue në krye të komunës përditë e më shumë po e fyejnë atë. Përditë e më shumë po e varfërojnë dhe po e qesin përtokë këtë komunë.

E themi me plotë dhembje por argumentueshëm se mekanizmat kontestues e korrektues të shoqërisë tonë kanë dështuar thuaja plotësisht. Ndryshe nuk do të ndihej kaq komod një udhëheqje e një kryetar kaq degradues e kaq fyes para qytetarëve të vet.
Kësaj shoqërie i ka dështue në masë të madhe së pari sistemi i drejtësisë i cili flen e nuk vepron. E pastaj i kanë dështue në masë të madhe të gjitha hallkat tjera siç është opozita, shoqëria civile, intelektualët dhe njerëzit që patjetër e duan shumë këtë vend por janë strukur dhe i ka mbulue heshtja e apatisë kolektive.

Këtë heshtje, ne si opozitë e madhe e komunës, në marrëveshje dhe bashkëpunim të ngushtë me të gjithë të tjerët që e duan komunën tonë, po e thejmë qysh prej sot e deri në fitoren tonë bashkë me të gjitha forcat progresive politike e civile të komunës.
Jemi këtu, si pjesë e konsoliduar dhe plotësisht aktive e bllokut fitues të shoqërisë tonë. Do të jemi plotësisht zgjuar dhe plotësisht në punë.

Do të rikthehemi si dikur para vitit 2008 kur kryetari komunes dhe udheheqja e saj vend nuk i gjente veti nga goditjet e forta opozitare qe i mernin perdite.
E themi me plote bindje dhe e faktojmë që kjo udhëheqje sot, është larg më e dëmshme, më e pahajr dhe më e ç’akorduar se sa ajo e viteve 2006 e 2007 kur e përzumë të rraskapitur e të turpëruar për në shtëpi.
Kështu do ti bëjë vaki edhe kësaj. Bile edhe më keq.
Populli vonon por s’harron e nuk falë!
Ai është i fyer e i përbuzur shumë nga ky kryetar dhe kjo udhëheqje me Gjilanin e cila u kalb tërësisht në keqpërdorime, në nepotizëm e korrupsion.
Populli heshtë por vjen dakiku e del prej “shtrati” si përroi vërshues dhe pastaj mirë dhe mertueshëm e mer “hakun” e tij.

 

You Might Also Like