Gjilan, 11 janar 2024 / Me homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në Gjilan ka nisur simbolikisht manifestimin kulturor mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2024”, i 33-ti me radhë, që organizohet në nderimin e të rënëve për liri.
Në nismë të këtij manifestimi unik në trojet shqiptare, që po i jep Gjilanit identitetin e një kryeqendre kulturore mbarëkombëtare, Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, pasi bëri homazhe me bashkëpunëtorët dhe udhëheqësit e institucioneve tjera, ka deklaruar se gjatë janarit kjo komunë nderon të rënët për liri përmes vlerave kulturore.
“Jemi me datë 11 janar kur edhe shënojmë fillimin e manifestimit mbarëkombëtar “Flaka e Janarit”. Këtë vit, për dallim nga vitet tjera, kemi edhe një vit jubilar sepse jemi në 40-vjetorin e rënies së heronjve të vendit tonë, të kombit shqiptar, Rexhep Malajt e Nuhi Berishës. Tani kemi nderuar dëshmorët ndërkohë që do të vazhdojmë me aktivitetet tjera përgjatë ditës”, ka thënë kryetari Hyseni.
Ai ka ftuar qytetarët gjilanas, artdashësit, të gjithë ata që duan të jenë pjesë e “Flakës së Janarit”, të marrin pjesë në aktivitetet që janë paraparë për këtë vit. Kalendari është publikuar në faqen zyrtare të Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport (DKRS), dhe aty mund të gjendet edhe orari i manifestimit.
“Sot kemi edhe një vizitë bashkë me kryeministrin e Kosovës, në familjet Malaj dhe Berisha, ndërkohë që do të vizitojmë edhe shtëpinë muze, pra ajo që mund të themi, inaugurim si ide e si projekt për këtë muze. Uroj të gjithë qytetarët e Gjilanit që të mos harrojmë asnjëherë dëshmorët e rënë për liri”, ka thënë kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni.
I pranishëm në homazhe ishte edhe Shemsi Syla, zëvendësministër i Ministrisë së Mbrojtjes, ish zëvendëskomandant i i Zonës Operative të Karadakut, i cili
ka thënë se sot jemi në një datë të veçantë, një datë shumë e rëndësishme, por edhe e një dhimbjeje të madhe, pasi sot, 40 vjet më parë, nga ne u ndanë dy militantë
të shquar, Rexha (Rexhep Malaj), që ishte prijës dhe vet emir i tij quhej “Qëndresë” dhe Nuhiu (Nuhi Berisha), emri i tij quhet “Guxim”.
“Do të thotë, “Qëndresa” me “Guximin” u bashkuan dhe artikuluan një zë të fuqishëm se më s’ka për të pritur. E kishin mundësinë të shpëtonin por na quan mesazhin e qartë., koha ka ardhë të flijohemi. Ata ranë fli për të lindur mijëra e mijëra për të ardhur deri te qëllim i caktuar, te Ushtria Çlirimtare e Kosovës, amanet i tyre për ta bërë realitet ëndrrën, vizionin dhe strategjinë për çlirim”, ka thënë Syla.
Përndryshe, agjenda e “Flakës së janarit 2024”, për ditën e sotme vazhdon tutje me një vizitë në Kazermën e Forcave të Sigurisë së Kosovës, në Gjilan, vizitën e paraparë të kryeministrit Albin Kurti në familjen e Rexhep Malaj, Akademinë për Rexhep Malajn e Nuhi Berishën në bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, derisa në mbrëmje si gjithnjë, do të bëhet Ndezja e Flakadanëve, te Teatri i Qytetit si dhe do të hapet Ekspozita me fotografi dhe video, “Flaka ndër vite”, në ish-Galerinë e Arteve në Gjilan.