Për të tretin vit radhazi, Komuna e Gjilanit, po realizon buxhetimin me pjesëmarrje.
Arbenita Sopi Haziri, drejtoreshë për Administratë në Komunën e Gjilanit, tha se motoja e buxhetimit me pjesëmarrje për këtë vit është: “Lagjja jote, vendimi yt”.
Tashmë është publikuar edhe kalendari i takimeve publike, dhe do të mbahen gjashtëmbëdhjetë sosh.
Ajo tregon se takimet e para mbahen në shtatë lagje dhe fshatra të komunës dhe nisin nga 14 maji dhe vazhdojnë deri më 23 maj, ku qytetarët japin propozimet e tyre për projekte.
Derisa takimet e dyta vazhdojnë nga 26 deri më 30 maj, votohet për projektet e përzgjedhura.
Projekti që merr vota më së shumti nga qytetarët vazhdon procedurën e hyrjes në projekt buxhetin e vitit 2026.
“Kryetari i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni, ka rritur buxhetin e investimeve për buxhetimin me pjesëmarrje nga 280 mijë euro në 400 mijë euro për projektet e qytetarëve për këtë vit”, tha Sopi Haziri.
Drejtoresha e Administratës, shtoi se demokracia zhvillohet kur qytetarët marrin rol aktiv në hartimin e politikave lokale.
“Buxhetimi me pjesëmarrje, është një mundësi për përfshirje dhe vendimmarrje të drejtpërdrejtë”, tha Sopi Haziri.
Më tej ajo shtoi se, siç tashmë është bërë praktikë, në takimet e para, qytetarët do të propozojnë projektet, të cilat më pas do të votohen gjatë takimeve të dyta. Projektet që marrin më së shumti vota do të përfshihen në buxhetin e komunës.
“Andaj, dëshirojmë të ndajmë me ju orarin e diskutimeve publike për buxhetimin me pjesëmarrje për komunën tonë dhe ju ftojmë të bëheni pjesë e vendimmarrjes lokale, të propozoni dhe të vendosni për projektet me prioritet në lagjen, fshatin apo komunitetin tuaj”, tha Arbenita Sopi Haziri.
Drejtoresha e Administratës theksoi se, bashkë punojmë dhe ndërtojmë të ardhmen, duke krijuar kushte dhe mundësi të barabarta për të gjithë.