Gjilan

Kuvendarët e Gjilanit miratuan raportin financiar, 2016-at viti më i suksesshëm deri tani

Kuvendi Komunal i Gjilanit, të enjten, në seancën e tretë për këtë vit, të kryesuar nga Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka miratuar raportin financiar për periudhën janar-dhjetor 2016, vendimin për bartjen e mjeteve financiare nga të hyrat vetanake të pa shpenzuara të viteve 2015 e 2016, në vitin fiskal 2017, vendimin për rritjen e buxhetit nga tejkalimi i të hyrave vetanake të planifikuara në vitin 2016, pastaj Strategjinë për zhvillim socio-ekonomik lokal 2017-2021, vendimin për ndarjen e mjeteve për subvencionimin e stafit teknik dhe aktiviteteve socio-kulturore në Teatrin e Gjilanit, ndërkaq atë për subvencionim të aktiviteteve të Qendrës për kujdesin ditor “Pema” e ka shtyrë për seancën e radhës, për t`i përfshirë kërkesat edhe të shoqatave tjera.

Pozita dhe opozita kanë mbajtur qëndrime të ndryshme rreth këtyre pikave, pos te fjalësi i emrave dhe subvencionet për teatër, ku ata i kanë bashkuar votat.

Zijadin Maliqi, drejtor financiar, ka thënë se Komuna e Gjilanit ka realizuar një buxhet prej 22.954.774 euro, ose mbi 1.6 milion më tepër se buxheti fillestar i planifikuar. Shpenzimet janë realizuar 95 për qind. Sa i përket të hyrave vetanake, që arrijnë në mbi 4.2 milionë, Maliqi ka thënë se ky është viti më i suksesshëm prej pas luftës e këndej.

Raporti financiar është mbështetur nga subjektet e koalicionit. Avdyl Aliu (LDK) ka thënë se raporti është real, sqarues dhe gjithëpërfshirës, sikurse edhe Selami Xhemajli (AAK), i cili ka thënë se një raport i këtillë financiar meriton të përshëndetet dhe përkrahet, veçmas për arsye të të hyrave vetanake, që asnjëherë tjetër nuk kanë qenë më të larta.

Nevzad Isufi (VV) ka thënë se raporti nuk përmban detaje për shpenzimet, duke nënvizuar faktin se qeverisja ka për obligim të jetë transparente me mënyrën e shpenzimit të taksave të qytetarëve.

Shukrije Rapuca (PDK) ka pasur vërejtje te buxheti për bujqësi, duke thënë se nuk janë realizuar investimet e planifikuara, sidomos te subvencionet.

Në përgjigjen e tij, drejtori Ramiz Ramadani ka thënë se plani i vitit 2016 në bujqësi është realizuar qind për qind, përfshirë edhe subvencionet, të cilat kanë ngelur nën planifikim për një përqindje të vogël.

Fatbardha Selmani (PDK) ka pasur vërejtje te buxheti për shëndetësi, ku sipas saj, ka keqmenaxhim, derisa Bujar Nevzati (PDK) ka thënë se kjo qeverisje nuk mund të mburret me gjendjen në shëndetësi, ku sipas tij, mungojnë barnat elementare, ndërsa në Përlepnicë, mjeku tani vjen dy herë në javë, kurse më herët ka ardhur rregullisht.

Fehmi Sylejmani (VV) ka thënë se mungojnë detajet për shpenzimin e mjeteve për subvencionet në arsim.

Në këto dhe pyetjet e tjera, ka dhënë sqarime drejtori Maliqi, i cili ka thënë se në raport janë paraqitur kodet kryesore buxhetore, ndërkaq dokumentacioni financiar për buxhetin 2016 ka 807 faqe dhe gjithsecili që është i interesuar për detaje, mund të paraqitet në drejtori për t`i parë ato.

Nexhat Hajrullahu, drejtor për Shëndetësi, ka thënë se falë bashkëpunimit me KARITAS-in është arritur të aktivizohen të gjitha ambulancat në fshatra, ndërkohë janë kryer edhe pagat për punëtorët shëndetësorë, të cilët janë angazhuar në kuadër të një projekti të përbashkët.

Sa i përket bartjes së mjeteve nga viti fiskal 2015 dhe 2016 në vitin fiskal 2017, Zijadin Maliqi, drejtor financiar, ka sqaruar se bëhet fjalë për 1.285.441 euro që kanë mbetur të pashpenzuara.

Përndryshe, buxhetit të këtij viti do t`i shtohet edhe shuma prej 227.089 euro, mjete këto nga tejkalimi i të hyrave vetanake të planifikuara për vitin 2016, ka thënë Maliqi.

Zijadin Maliqi ka sqaruar se çdo herë mbeten mjete të pashpenzuara, për shkak se nuk arrihet të përmbyllen projektet, prandaj duhet të barten në vitin vijues, meqë mjetet për investime nuk mund të ri-destinohen për nevoja të tjera.

Sahit Abazi (PDK) ka thënë se mbetja e mjeteve, tregon se Komuna, ose ka qenë e pa aftë për t`i shpenzuar ato, ose qëllimisht janë lënë për këtë vit zgjedhor.

Kuvendi ka shqyrtuar dhe miratuar edhe strategjinë për zhvillim socio-ekonomik lokal 2017-20121, që parasheh realizimin e 90 projekteve të ndryshme gjatë periudhës së ardhshme pesëvjeçare.

Agim Zuzaku, drejtor për Zhvillim Ekonomik, ka thënë se përmes kësaj strategjie synohet realizimi i prioriteteve më të rëndësishme, të cilat janë identifikuar në bashkëpunim me qytetarët dhe drejtoritë komunale.

Jehona Hyseni (LDK) tha se Komiteti për Zhvillim Ekonomik ka propozuar edhe tri projekte tjera dhe u shpreh e lumtur që këto kërkesa janë marrë parasysh dhe janë përfshi në këtë strategji.

Kuvendi Komunal i Gjilanit e ka miratuar edhe fjalësin e emrave të personaliteteve dhe ngjarjeve nga territori i Komunës së Gjilanit, tërësia etnike shqiptare dhe më gjerë, të cilin e kishte shqyrtuar në janar, por e kishte shtyrë për disa ditë, për t`i lënë kohë komisionit që t`i shqyrtojë edhe disa propozime të tjera, të cilat u dhanë nga këshilltarët.

Anëtarët e Kuvendit janë pajtuar se komisioni ka bërë një punë të vlefshme, tani që janë përfshirë edhe disa personalitete të tjera të rëndësishme nga historia jonë, të cilët kanë merita të pa diskutueshme në çështjen kombëtare. Në emër të Komisionit, sqarime ka dhënë Sabit Rrustemi, i cili ka thënë se lista është plotësuar me 9 propozime, të cilat janë bërë në seancën e kaluar, duke sqaruar se të gjithë këta emra, me përjashtim të njërit (Demush Shabanit) kanë qenë pjesë e shqyrtimit në komision edhe më herët.

Po ashtu, është miratuar edhe vendimi për ndarjen e mjeteve për subvencionimin e stafit teknik dhe aktiviteteve socio-kulturore në teatër, në vlerë prej 22.416 euro. Shpresa Kurteshi (LDK) ka thënë se kërkesa është përkrahur në Komitetin përkatës dhe ka sqaruar se nga kjo shumë, 19 mijë euro janë të planifikuara për pagat e stafit teknik, ndërsa pjesa tjetër, për pajisje dhe shërbime tjera në teatër.

Njëherësh, Kuvendi Komunal ka marrë sërish vendim për përjashtimin nga seanca të anëtarit të tij, Srgjan Mitroviq, për shkak se ai nuk ka ofruar dëshmi të vlefshme që është tërhequr nga strukturat paralele, ku është emëruar para disa kohësh.

Përndryshe, në pjesën e debatit jashtë rendit të ditës, Sahit Abazi (PDK) ka kërkuar sqarime për shfrytëzimin e deritashëm të disa objekteve komunale, për të cilat tani është shpallur ankand publik si dhe për shkollën e Artit Pamor, ku nuk është shpallur konkursi për drejtor prej një viti.

Nevzad Isufi (VV) e Fatbardha Selmani (PDK) kanë kërkuar që në rend dite të futet edhe çështja e subvencionimit të “Handikosit”, bashkë me Qendrën e kujdesit ditor “Pema”, pikë kjo që u shty për seancën e radhës, me propozimin e Avdyl Aliut (LDK) e Selami Xhemajlit (AAK), për t`i përfshirë edhe shoqatat tjera.

Leonora Bunjaku (PDK) ka thënë se është kundër shtyrjes së kësaj pike, meqë edhe ashtu, te Qendra “Pema”, e cila ofron shërbime për fëmijët me nevoja të veçanta, sipas saj, jemi vonuar.

Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit, ka thënë se të gjithë ne jemi të interesuar që të ndihmohen këto kategori dhe ka premtuar se Komuna do t`i kryej obligimet e veta brenda mundësive buxhetore, duke thënë se ky vendim do të merret në një seancë tjetër, që duhet të mbahet deri më 15 prill, ku do të miratohen edhe emërtimet e rrugëve, shesheve dhe lagjeve.

Ndërkaq, sa i përket ankandit për lokalet komunale, Nevzad Rushiti (LDK), njëherësh anëtar i komisionit, ka thënë se bëhet fjalë për disa banesa dhe lokale në dy objektet e ndërtuara në partneritet publiko-privat si dhe për disa lokale të tjera, të cilat janë të mbyllura për shkak të obligimeve. I tërë ky proces po bëhet sipas ligjit, ka thënë Rushiti.

Në pikën nën të ndryshme, përgjigje në pyetjet e ngritura nga këshilltarët komunalë, rreth arsimit, largimit të disa punëtorëve në “Ecohigjienë”, përkatësisht vlefshmërisë së marrëveshjes së partneritetit publiko-privat në këtë kompani, kanë dhënë drejtorët Shqipe Kastrati (Arsim) dhe Agim Zuzaku (Zhvillim Ekonomik).

You Might Also Like