OPINION

Lëvizja Vetëvendosje, alternativa e vetme për Gjilanin

Shkruan: Fehmi Sylejmani

Pas ngritjes së aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës kundër dy kryetarëve të fundit të komunës së Gjilanit, që janë të dyshuar për korrupsion dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare, qytetarët e Gjilanit, ndonëse është herët për të vendosur, sepse zgjedhjet e ardhshme lokale janë qysh në vitin tjetër, megjithatë qytetarët e kësaj komune, si gjithmonë më parë, duhet të tregojnë maturi dhe pjekuri politike, ashtu që me votën e tyre të lirë demokratike të dëshmojnë se kush duhet të vjen në pushtet në atë ardhmen. Teksa keqpërdoruesve, të paaftëve, mediokërve, injorantëve dhe të dyshuarave për korrupsion t’ua tregojnë vendin se ku e kanë.

Në këtë kontekst, qytetarët e Gjilanit për më shumë se një dekadë janë qeverisur me ndërrim nga partitë PDK e LDK, duke provuar kështu nga afër qeverisje nga partitë që dikur kishin rivalitet të madh politik, por që të përbashkët kanë dyshimin që bie mbi ta për korrupsion e krim të organizuar. Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, kryetari aktual, Lutfi Haziri, dyshohet se ka dëmtuar qytetin e tij me afër 170 mijë euro, pasi që ka favorizuar një biznesmen me të kaluar kriminale. Ndërsa ish kryetari Qemajl Mustafa, dyshohet se ai në mënyrë të organizuar me zyrtarë të tjerë të komunës dhe biznesmenë kanë kurdisur tenderë, duke përfituar për vete e duke e dëmtuar buxhetin publik, rrjedhimisht edhe qytetarin e Komunës së Gjilanit.

Pavarësisht se deri në vendimin e fundit gjyqësor, askush nuk mund të cilësohet si i fajshëm, dyshimet e fundit të prokurorisë, mos zhvillimi ekonomik, degradimi dhe politizimi i arsimit dhe shëndetësisë, mos rregullimi i infrastrukturës dhe kanalizimit, mbështetje për klubet sportive me baza partiake, mungesa e parqeve dhe kopshteve në qendër dhe lagje të ndryshme, pjesërisht Dardanisë I, mungesë të ndriçimit publik në shumë lagje, fare pak zgjerim të rrugëve, mbështetje të bujqësisë jo sa duhet e shumë të tjera, janë disa nga faktorët kryesorë që kjo qeverisje duhet ecur sa më parë. Ndërkaq, jo vetëm LDK, por edhe më herët PDK kishin fituar duke premtuar ( duke gënjyer) se shtratin e lumit Mirusha do ta rregullojnë, por ja ende kjo punë nuk ka përfunduar dhe tashmë çështja e lumit Mirusha është bë përrallë.

Pastaj premtimet për Varrezat e Dëshmorëve, Bibliotekën, 1 milion euro për bujqësi qysh në vitin e parë, femrave të Gjilanit shkollim falas, transparencë të skajshme e shumë premtime tjera.

Zhgënjimi i përditshëm i qytetarit me këtë keqqeverisje, por edhe me atë te PDK-së para saj, mos perspektiva e të rinjve, mungesa e vizonit për të gjeneruar vende të lira, mungesa e vizionit për projekte të prekshme dhe reale për qytetarin, qeverisje mediokër dhe jo eksplicite, po e bëjnë dhe po e vendosin Lëvizjen Vetëvendosje! në një subjekt të vetmin të besuar dhe me perspektivë për qytetarët e komunës së Gjilanit, që në të ardhmen, pa asnjë dyshim do të jetë fituese e pakrahasueshme e zgjedhjeve lokale, jo për të ndërruar figurat apo emrat, por modelin dhe frymën e qeverisjes, Lëvizja Vetëvendosje! po e ndien erën e fitores në Gjilan. Kjo fitore nuk do të jetë fitore vetëm për VETEVENDOSJEN!, por mbi te gjitha fitore për qytetarin e Gjilanit.

You Might Also Like