Libri

LIBËR QË TË PUSHTON ME FIGURSHMËRINË DHE METAFORIKËN E PASUR POETIKE

ANTON NIKË BERISHA

LIBËR QË TË PUSHTON ME FIGURSHMËRINË DHE METAFORIKËN E PASUR POETIKE

Në librin e parë me poezi “Kur dielli lind në bebëza” Zanë Mali bën objekt vështrimi poetik Dashurinë, që është dukuria – ndjenja më e qenësishmja, më e pafundmja dhe më magjikja. Në të poetja shpalos, në pajtim me moshën dhe shpirtin e saj, botën sa të veçantë aq dhe të pasur të femrës, fshehtësitë e pafund dhe e përligj rëndësinë e realitetit përkatës që krijohet përmes tekstit poetik. Me pjekurinë poetike ajo e zhbën moshën dhe dëshmon atë që Stefan Zvajgu e thoshte për gjashtëmbëdhjetëvjeçarin, Hugo fon Hofmanstalin: “[…] nuk e fillonte (veprimtarinë letrare – v. ime), por e përsoste sapo e kishte filluar”.

Në këtë vepër Zanë Mali zbaton një shprehje sa të shpenguar, aq dhe të menduar dhe poetikisht të ngritur; një natyrshmëri e ngrohtësi rrëfimi, që të pushton me figurshmërinë dhe metaforiken e pasur si dhe me një ritëm e kumbim të disa llojshëm të fjalëve dhe të vargjeve.

Vepra e Zanë Malit, që tërësisht i kushtohet dashurisë si dukuri jetësore e hyjnore, të kujton “Këngën e këngëve” të Biblës së Vjetër, kushtuar tërësisht dashurisë dhe që 26 shekuj nuk i ka zbritur vlera dhe aktualiteti. Për të rabini Aqiba (vdekur më 135 pas Krishtit) thoshte: “Bota e tërë nuk është e denjë sa dita në të cilën ‘Kënga e këngëve’ iu dhurua Izraelit. Të gjitha librat e Biblës janë të shenjta, po Kënga e Këngëve është më e shenjta nga të gjitha (Mišnah, Jadayim 3, 5)”.

Dashuria në librin e Zanë Malit ka një shtrirje të shumtë dhe në shqiptim shmangën modelet e njohura dhe ndiqet një mënyrë e mëvetësishme në përftimin me përkushtim të vargjeve dhe të poezisë si tërësi shprehëse poetike.

___________

Thekse nga fjala e mbajtur në Manifestimin poetik “Shpalime pranë vere”, mbajtur dhe në komunën e Vitisë, ( Rest. “Frenk house”), më 22 qershor, 2024

You Might Also Like