(LRFGJ) ka mbajtur një takim informues me shkollat e futbollit dhe klubet e regjionit, me qëllim përgatitjen sa më të mirë për sezonin pranveror të garave.
Kryetari i LRFGJ, Armend Misini, ka bërë të ditur se ndeshjet e para të grupmoshave U13 dhe U15 do të zhvillohen më 15 dhe 16 mars, ndërsa kategoria U17 do të nisë garat më 22 dhe 23 mars. “Presim që sezoni të zhvillohet dhe të përmbyllet në mënyrë dinjitoze, ashtu siç i ka hije sportistëve,” theksoi Misini.
Ai gjithashtu njoftoi se janë përcaktuar edhe datat për kontrollimet mjekësore të futbollistëve, të cilat janë të obligueshme. “Çdo skuadër është e detyruar t’i kryejë kontrollet mjekësore. Në të kundërtën, nuk do të mund të vazhdojë garat. Ky është një proces i domosdoshëm për shëndetin e çdo futbollisti,” sqaroi ai.
Një lajm i rëndësishëm për këtë sezon është mbështetja financiare nga RC Cola Kosova, e cila është sponsori gjeneral i këtyre garave. Falë kësaj mbështetjeje, janë mbuluar të gjitha shpenzimet për gjyqtarët, delegatët dhe personat zyrtarë të përfshirë në organizim. “Në emër të të gjithë futbollistëve të LRFGJ, falënderojmë kompaninë prestigjioze RC Cola Kosova për këtë mbështetje të madhe,” u shpreh Misini.
Ai gjithashtu bëri të ditur se bashkë me kryetarin e FFK-së, Agim Ademi, po punojnë në realizimin e disa projekteve për zhvillimin e klubeve dhe futbollit në Kosovë. “Synimet tona do të realizohen gradualisht, por me siguri dhe përkushtim,” theksoi Misini.
Me këto hapa, LRFGJ po dëshmon çdo ditë se është një nga organizatat më të fuqishme në futbollin e Kosovës, duke punuar në mënyrë të vazhdueshme për të mirën e futbollistëve dhe klubeve të regjionit.