Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Gjilanit, i cili ka diskutuar kryesisht lidhur me problemet në ndërmarrjen “Ecohigjiena” dhe për projektet me qeverinë austriake për trajtimin e ujërave të zeza, kreu i Komunës Lutfi Haziri i është përgjigjur të gjitha interesimeve të asambleistëve.
“Sot, ne po e përmbushim një detyre ligjore. Komisioni i Aksionarëve kanë obligim që ta paraqesin raportin dhe të gjeturat në kompaninë “EcoHigjiena”. Po ashtu, ne po i koordinojmë aktivitetet me Këshillin e Punëtorëve, në mënyrë që ta normalizojmë punën. Unë kërkoj publikisht që të mos e politizoni ndërmarrjen komunale sepse askush nuk përfiton nga kjo tendencë. “EcoHigjiena” është në ngritje e sipër, është në gjendje financiare cfarë ekziston, por nuk është në obligime të këqija. Borxhet e kompanisë jemi duke i servisuar dhe po i koordinojmë aktivitetet”, ka thënë Haiziri.
Kryetari Haziri ka kërkuar nga asambleistët e Kuvendit që bashkarisht ta ndihmojnë normalizimin e kompanisë “Ecohigjiena”, duke thënë se Kuvendi Komunal është bartës i kontratës.
“Po ashtu, kërkoj që të mos ndërhyjmë në prokurori dhe gjykatë sepse në hetim është edhe rasti i kontratës në tërësi mbi bazën e marrëveshjes në atë kohë. Ne po presim, po tregohemi të durueshëm. Ne e presim vendimin final që mund ta jap prokuroria dhe gjykata. Unë, edhe njëher shpreh keqardhjen për rastit që ka ndodhur ndaj drejtorit të ndërmarrjes. Shpresoj shumë që gjendja të normalizohet në tërësi, në menaxhment, në bord dhe në zbatim të kontratës. Po e theksoj zotimin se nuk e lëshojmë për asnjë milimetër premtimin kontraktual që e ka “Moser Group” për investime në “Ecohigjiena”, ka shtuar Haziri.
Sa i përket projekteve të mëdha për trajtimin e ujërave të zeza, kryetari Haziri ka shfaqur besimin se në fund të këtij muaji do të fillojnë edhe punimet e drejtpërdrejta, siç është hapja e korridoreve për vendosjen e kolektorëve, duke shtuar se zgjidhjen tjetër të impiantit janë duke e bërë me Komisionin Europian.
“Sot është njëri prej vendimeve më të rëndësishme që Kuvendi i Komunës do të sjell në kuadër të programit, në të cilin është punuar që më shumë se dy vjet, për rehabilitimin e plotë të rrjetit kanalizimit dhe ujërave të zeza të Komunës sonë, por që prekin direkt edhe disa fshatra të komunave në fqinjësi, në mënyrë që rrjedha e lumit “Morava”, “Mirusha” dhe “Stanishorka” do të zgjidhen përfundimisht. Programi është i Qeverisë së Kosovës dhe asaj Austrisë, por Komuna e Gjilanit është përfituese e programit Soft Loan me një shumë totale prej mbi 13 milionë euro”, ka përfunduar Haziri.