Për Hysenin e VV-së: ‘Presionet’ kundër opozitës nuk t’i mbulojnë dështimet monumentale për shkak të mosrealizimit të asnjë projekti kapital dhe skandalet e punësimeve të kunatave, balldëskave e baxhanakëve!
Për të satën herë me radhë, në stilin e shefave të tij, zëvendësministrave të cilët në formë ‘bedelësh’ ia udhëheqin nga distanca prej 47 kilometrash Komunën e Gjilanit, Hyseni i VV-së paska tentuar në mënyrë të mjerë ta keqinterpretojë realitetin sa i përket buxhetit për vitin 2025 dhe bartjen e mjeteve prej 2.5 milionë euro.
Kjo krekosje e ky ‘presion’ ndaj opozitës është vetëm tentim i mjerë për t’i mbuluar dështimet monumentale për shkak të mosrealizimit të asnjë projekti kapital dhe skandalet e punësimit të kunatave, balldëskave e baxhanakëve. Vetëm pasi i realizove këto punësime skandaloze të familjes tënde, të ra ndërmend që duhet të merresh me buxhetin. Nuk të falet sepse Komunën e ke shndërruar në një shitore të thyer, duke i sjell Gjilanit depresion të thellë politik e ekonomik.
Ajo që pamë sot, një ditë pas protestës së shoqatave të personave me aftësi të kufizuar në Gjilan, qenka përkthyer në një konferencë të përbashkët me një ‘presion’ për opozitën.
Kësaj i thonë: Lavdi marrëzisë!
Në vend që të bëjë përpjekje për aprovimim e buxhetit dhe krijimin e një agjende të përbashkët me opozitën për Gjilanin, tani i ka përkthyer protestuesit dhe të pakënaqurit në instrument për të bërë presion mbi opozitën në Gjilan.
Edhe dhjetë ditë mbyllet arka e shtetit dhe nuk mundet as të ndahen e as të shpenzohen ato mjete.
Ne besojmë shumë, që shumë më mirë është që ekzekutivi i Gjilanit t’i ngrohë sallat e bibliotekës së qytetit, t’i ngrohë klasat e shkollës së muzikës dhe shumë shkollave të tjera, të cilat janë pa dru e pa ngrohje, e sot Gjilani, gjatë gjithë ditës edhe pa ujë e pa rrymë.
Në këtë kaos të krijuar sot në qytet, Hyseni i VV-së zgjedh mënyrë për të instrumentalizuar këto shoqata, që sot do të duhej të kishin komod në Fshatin e Lumtur, si projekt i bërë për to dhe disa kategori tjera të dashura të shoqërisë.
Ai po merret me një buxhet që është me 2.5 milionë euro suficit këtë vit, dhe me shumë projekte të parealizuara. Tani bën presion për buxhetin e vitit 2025, kur dihet se vitin 2025 e kemi vit zgjedhor në shkurt dhe tetor. Komuna e Gjilanit tanimë ka rrëshqitur në gropë të zezë, si pasojë e mosadministrimit dhe krijimit të këtij kaosi.
Ju lutemi, mos i përdorni shoqatat politikisht, sepse meritojnë trajtim të duhur dhe jo instrumentalizim të tillë!