Gjilan, 10 dhjetor 2024 – Në Gjilan është mbajtur të martën konsultimi publik për Rregulloren për Transparencë Komunale dhe Planin e Veprimit për Transparencë 2025-2028.
Këto dy dokumente të rëndësishme për transparencën e Komunës së Gjilanit i ka prezantuar para qytetarëve drejtoresha për Administratë të Përgjithshme, Arbenita Sopi – Haziri.
“Rregullorja për Transparencë e Komunës së Gjilanit përcakton rregullat që sigurojnë transparencë të punës së organeve komunale, kryetarit të Komunës, drejtorive, Kuvendit, trupave të Kuvendit si dhe mekanizmat tjerë ligjorë, sikurse edhe rregullat, parimet dhe format e përfshirjes së qytetarëve, shoqërisë civile dhe grupeve të interesit në proceset vendimmarrëse”, tha Sopi Haziri.
“Plani i Veprimit për Transparencë 2025-2028, ka për qëllim që t’i ofrojë publikut qasjen e lehtë në monitorim dhe zbatimin e politikave të organeve të Komunës, duke përfshirë informimin e shpejt, të dhënat e qasshme, publikim të të gjitha akteve normative dhe dokumenteve me interes publik, sikurse edhe rritje të mundësive të pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse”, ka shtuar ajo.
Drejtoresha e Administratës bëri të ditur se risia është inkorporimi i Buxhetimit me Pjesëmarrje, proces ky që është storie suksesi në Gjilan e i cili tashmë bëhet obligativ për t’u realizuar çdo vit.
Në fund, ajo tha se të gjitha propozimet eventuale të qytetarëve do të shqyrtohen me përgjegjësinë më të lartë, për t’u inkorporuar në këto dy dokumente të rëndësishme për transparencën e Komunës së Gjilanit.
Ndryshe, Rregullorja për Transparencë dhe Plani i Veprimit për Transparencë 2025-2028 janë përpiluar në harmoni me Udhëzimin Administrativ për Administratë të Hapur, me mbështetje të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.