Libri

MË MJAFTON ME DASHTË

Genta SAHITI

MË MJAFTON ME DASHTË

( Perla poetike nga gjilanasja e re, Genta Sahiti, si një buqetë lulesh për Datëlindje )

TUJ JA VJEDH DRITËN RRUFESË

Eci mes qiellit e tokës,
eci prrockave pa u tut se bie

Pi piklat e shiut të vjeshtës

Më mjafton me dashtë,
me qa për hir të dashnisë

Me qesh me za
tuj ja vjedh dritën rrufesë

Ka ditë ma t’verbta se me shi.

E kam temin Zotin
qysh me urrye?

BEHAR VJESHTE

Ky behar vjeshte sot
m’çeli lule bojekafe
si e jotja shami
ma shtroi udhën me kalldrëm
deri tek shtrati yt i përjetshëm
prej ku prap fryn fllad dashnie

Pash rafta bosh
kolltuqet ula në sytë e mi
vazo pa lule, oxhak pa zjarr
oiriun e fikun, si ti !

Kthej në skenë symbyll f’mininë

Sytë vetes ja hedh.
qysh t’lash ashtu me m ‘ikë
pa mujtë me t’kallzu se sa të due.

THASË ME BRENGA

Je nanë,
grue,
poete.

Nji fjalë shkruen t’vërtetë,
tana tjerat ,
thasë me brenga.

KJO JAM UNË …

Saherë nji rrebesh luen me rranjët e mia
un’ çel
rris kërcell
kryet çoj përpjetë
n gjethe t’shkyeme
thur dashni

S’kam më shumë se nji lugë dhè
me marr me vete.
për me formue harqe diejsh
Herë pluhun gri që mat orën

Prej dritares përthakoj qiellin me sy..

Di me përbi lot,
di me dashtë edhe kur kryet ma kthejnë

Mbi thembra t’mia shpesh gjej zemren

Nganjiherë mbes tuj lyp
thu se luej kukafshehtas

S’di me u kthye pa m’kërkue ti..

Kjo jam unë
që din me u ba grusht,
pa ja marrë frymēn vetes,
që nuk vesh lëkurë dosido,

Ajo çika
që kurrë nuk mësoi me u rritë…

VAKTET QË M’I MORI ÇIKNIA

Vaktet që m’i mori çiknia
andërr i shoh.
A kapen retë,
a zinet lumtunia!?
Pasqyra e syve të mi,
te gjini yt rri e strukun,
si bora e parë e fminisë mbi mue.
I fryj petaleve të nusnisë
një e nga një,
njëjtë ndihem,
njëjtë falem,
njëjtë prehem.
Dy zemra të bardha
bukë shpirti…

FANARI

Babloki jem,
kam m’su me i dasht njerëzit
me i nuhatë hijenat..
mos me u tutë prej hijeve që m’vijnë pas.

Për ditë të verbta
kam nji fanar.

ATY KU NUK TË MERRET FRYMA

Përnatë tjerri dashni,
përditë fluturoj.
nuk i ndij krahët,
janë t’mit a t’qiejve

Vera jéme
ma ngat se vetja,
nuk i vyshk lulet
pa pajtue gjysën e shpirtit,
pa pajtue gjoksin
ku përnatë peshon kryet tand.

T’moçëm jena na,
i plakim verat,
vitet as i shohim
as i thajmë,
as i vjetrojmë,
as i djegim.

Në det gjethesh I lajmë
në trungje pemësh,
gjelbrimeve i mbjellim me qiparisa.

Uh sa t’moçëm jena na
veç n’dashni jetojmë
aty ku nuk të merret fryma,
FUSTANI I BARDHË

Po shkoj për herë të parë
kësaj pranvere
me bekue kasollën e shejtë

Në çantën e shpinës
andrrat janë t’njejtat.

Nuk tutna se brenda nji nate ikë lumtunia

Çikë jam
Grue
Poete

Te tria janë të paqta
jetojnë
mejtojnë
ngjasin

Veç pranverave kalojnë
dimni nuk ua shkund petalet

Fustani i bardhë ju shkon te trijave
pa e humb veten,
Lirinë

SA HERË IA NDIJ FRYMËN

M’ vjen nji za i ngrohtë prej nënqielli,
ma puth gushën, faqet
e m’thot
ruju se ke me u mërdhi

Xhaketën e thurun prej’saj
e ve mbi sup
aty ka prekjen..

S’di pse sa herë ia ndij frymën
bahem e fortë.

Ngre sytë prej qielli
e n’ballë më ndritë bekimi i saj.

Lule
m’ka marrë malli!

You Might Also Like