Ish-kryetari i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Mexhit Devaja, feston 76-vjetorin e lindjes.
Mexhit Devaja, ish-kryetari dhe Presidenti i Nderit i Federatës së Hendbollit të Kosovës, sot ka shënuar 76-vjetorin e lindjes. Devaja, një figurë e shquar në sportin kosovar, ka kontribuar në mënyrë të jashtëzakonshme për hendbollin, duke lobuar me përkushtim për pranimin e Federatës së Hendbollit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Në vitet e 90-ta, kur pushteti serb kishte nën kontroll çdo aspekt të jetës në Kosovë, Devaja ndërmori hapa të guximshëm dhe pa asnjë hezitim nisi përpjekjet për njohjen ndërkombëtare të federatës. Pas sfidave të shumta dhe angazhimit të tij të pashtershëm, në vitin 2004 Federata e Hendbollit të Kosovës u bë federata e parë kolektive nga Kosova që u pranua ndërkombëtarisht. Ky sukses shënoi një moment historik për sportin në Kosovë dhe hapi rrugën për integrimin e mëtejshëm të sportistëve dhe federatave tjera kosovare në organizatat ndërkombëtare.
Në këtë ditë të veçantë, Mexhit Devaja vazhdon të kujtohet me respekt për rolin dhe përkushtimin e tij të palodhshëm në shërbim të sportit dhe kombit të tij.