Varg e Vi – organizata më aktive kulturore dhe artistike në rajonin e Anamoravës, nga themelimi i saj në vitin 2011 e deri më tash, vazhdimisht ka krijuar atmosferë të brendshme demokratike në përputhje me statutin si OJQ, duke fuqizuar rregullin një anëtar-një votë, mundësi për të zgjedhur (votim) dhe për t’u zgjedhur (kandiduar) dhe me rotacion demokratik të disa drejtorëve gjatë zhvillimit të veprimtarisë së saj kulturore, mbi një dekadë.
Sot, më 4 shtator 2022, me shumicën e votave të anëtarëve të saj, u votua përfaqësuesi i ri i autorizuar ligjor dhe drejtori i ri i Varg e Vi-së, Migjen Fazliu, i cili zgjedhet pas vendimit të Avni Shkodrës, që të jetë në krye të Këshillit Drejtues të Teatrit të Qytetit të Gjilanit.
Varg e Vi falënderon shumë drejtorin e deritashëm Avni Shkodrën, për angazhimin e tij të fuqishëm në konsolidimin e organizatës, punën e tij të madhe në avancimin e aktiviteteve dhe projekteve kulturore dhe artistike. Nën drejtimin e Shkodrës, Varg e Vi realizoi shumë projekte, duke krijuar besim e seriozitet maksimal në çdo institucion lokal e qendror, si dhe Komisionin Evropian.
Drejtori i ri i Varg e Vi-së, Migjen Fazliu, vjen me një sfond universitar dhe pasuniversitar nga shkencat politike në Universitetin e Evropës Juglindore, fotograf, njohës i jashtëzakonshëm i kinematografisë vendore dhe të huaj, dhe aktualisht menaxher kontratash ndërkombëtare për shitje, në kompaninë e njohur KOSBIT.
Varg e Vi aktualisht ka disa projekte që do t’i realizojë për ta pasuruar jetën kulturore në Gjilan, Kosovë dhe jashtë vendit, dhe në vazhdimësi do të krijojë projekte të reja në krijimin e një vazhdimësie të jetës artistike, nxitjen e kreativitetit dhe përshtatjen me format më të reja të arteve bashkëkohore dhe vënien e artit në funksion të zhvillimit social, turistik e kulturor.