Gjilan

Muharrem Ibrahimi karrierën prej oficeri ushtarak e vuri në shërbim të atdheut

 

Majori Muharrem Ibrahimi, zhveshi uniformën e ish-ushtrisë që nuk ishte e popullit dhe iu bashkëngjit UÇK-së dhe si ushtarak profesionist  punoi në stërvitjen e ushtarëve të rinj dhe ngritjen e moralit të ushtarëve

 

Enver Sadiku

 

Uniformën e ish- Armatës Popullore të Jugosllavisë e kishte zëvendësuar më atë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nën këtë uniformë, majori i karrierës Muharrem Ibrahimi pesëmbëdhjetë vite më parë ra heroikisht në luftë. Këtë të hënë, pikërisht në përvjetorin e rënies, është përkujtuar jeta dhe veprimtaria e Muharrem Ibrahimit, i cili në moshë të re ia kishte shprehur dëshirën babait të tij për t’u bërë oficer ushtrie e ky i fundit, duke ditur se një ditë, njerëz të tillë do t’i duhen vendit ia kishte plotësuar dëshirën. Muharrem Ibrahimi, mbaroi Akademinë Ushtarake, dega e Këmbësorisë, të cilën me sukses e kreu në Beograd e në Sarajevë dhe karrierën prej oficeri e vazhdoi në Maribot të Sllovenisë.

Me prishjen e gjendjes në ish-shtetin e dikurshëm të përbashkët, oficeri Muharrem Ibrahimi, vazhdimisht i këshillonte ushtarët shqiptarë që të mos bien nën provokimet e armikut dhe u ndihmonte, kurse sigurimi i ish-APJ-së atë vazhdimisht po e përcillte.

Jugosllavia kishte nisur të shpërbëhej e Muharrem Ibrahimi ishte dërguar me detyrë në Murska Subota e Shentil të Sllovenisë, ku i ishte kurdisur një pritë, në të cilën mbeti i plagosur në vitin 1991. Sllovenët i kishin ofruar që të dezertojë nga Ushtria Jugosllave dhe të dilte në anën e tyre, por majori Ibrahimi mbeti bashkë me ushtarët shqiptarë, duke u kujdesur për sigurinë e tyre. Më pas atë e transferojnë në Trebinje e prej aty edhe në Mitrovicë dhe padrejtësitë që po u bëheshin shqiptarëve e shtynë atë të largohet nga ushtria, por ishte këshillë e shokëve që ai të mbetet në ushtri dhe të jap informata për lëvizjen e forcave ushtarake. Nga Mitrovica, Muharrem Ibrahimi u transferua në Ferizaj dhe kur plasi lufta në Drenicë përmes shokëve shumë të besueshëm, Zonës Operative të Nerodimjes i jepte informatat për kazermën e Ferizajt , pozitat, planet, potencialin ushtarak dhe armatimin.

Ushtria serbe i dha urdhër që të shkojë në luftë kundër shqiptarëve, por ai e refuzoi këtë, duke u arsyetuar se djalin e ka të sëmurë dhe duhej të përkujdesej për të e majori Muharrem Ibrahimi, zhveshi uniformën e ish-ushtrisë që nuk ishte e popullit dhe iu bashkëngjit UÇK-së dhe si ushtarak profesionist , punoi në stërvitjen e ushtarëve të rinj dhe ngritjen e moralit të ushtarëve, ku u emërua Shef i Shtabit të Zonës.

Në ofensivën serbe të 15 prillit 1999, ushtarët u detyruan të tërhiqen në drejtim të Marecit, ku ballafaqohen me një sulm tjetër të forcave serbe e majori Muharrem Ibrahimi, në vijën e parë të frontit ishte qëlluar nga një granatë, që i shkaktoi lëndime në këmbë dhe shpatull. Me plagosjen e rëndë u përball për dy ditë dhe më 21 prill 1999 ndërroi jetë në në odën e Halil Canollit.

Pas çlirimit të Kosovës, eshtrat e majorit Muharrem Ibrahimit u rivarrosën në Varrezat e Dëshmorëve në Gjilan.

You Might Also Like