Federata e Boksit të Kosovës, nesër (të enjten) bën përzgjedhjen e selektorit të Kosovës në boks, ku pritet të jetë një garë e nxehtë. Në mesin e kandidatëve është edhe trajneri i mirënjohur jo vetëm gjilanas por edhe kosovar, Musli Zymberi, i cili me punën e tij profesionale ka dëshmuar se është një trajner i cili e njeh shumë mirë këtë zeje të boksit. Musliu, i cili ishte një boksier i dëshmuar duke mbrojtur ngjyrat e KB Partizan të Gjilanit, Sllavia të Banjallukës, Duboqica të Leskovcit dhe në fund tek KB Drita.
Ish-boksieri, tani trajner i KB Drita, karrierën e trajnerit ka filluar plot para 35 vite. Zymberi ka dhënë dhe është duke dhënë kontribut në shumë sfera të boksit, i cili tani është Kryetar i Shoqatës së trajnerëve të boksit të Kosovës në mandatin e dytë dhe Ushtrues detyre i Përzgjedhësit të Kombëtares së Kosovës për senior dhe të rinj (Youtha), ndërsa është i certifikuar nga AIBA1-Star Coach plot para 7 vite.
Puna profesionale e trajnerit Zymberi karakterizohet me disiplinë të madhe, për teknikat e luftimit në kombinim me programet rigoroze të përgatitjes fizike, mendore e taktike, po ashtu fokus të madh të punës së Musliut është strategjia për menaxhim të peshës, ushqyerjes, e parandalimin e lëndimeve të boksierëve. Gjatë karrierës së tij prej trajneri, Musli Zymberi së bashku me bashkëpunëtorët e tij ka nxjerrë emra të mëdhenj të boksit e kampionë të shumëfishtë siç janë: Rasim Shabani, Liridon Zeqiri, Violant Sylejmani, Fatlume Ahmeti, Erdonis Maliqi, Donat Syla, Leotrim Rexhepi e shumë boksierë të tjerë ndër vite.
Rrugëtimi i Kombëtares së Kosovës në boks drejt sukseseve në arenën ndërkombëtare është që nesër Federata e Boksit pa asnjë hezitim të përzgjedhë Musli Zymberin përzgjedhës të boksit të Kosovës. Njeriun i cili gjatë karrerës së tij ka nxjerrë shumë boksier cilësorë e që na ka bërë krenar në arenën ndërkombëtare, si në atë në amatorizëm po ashtu edhe në boksin profesionist. Për boksin e Kosovës përzgjedhja e Musliut do të ishte një fitore e madhe pasi që kemi të bëjmë me një personalitet e profesionist që i mungon boksit Kosovar, po ashtu Musliu gëzon një respekt të jashtëzakonshëm nga të gjithë boksierët e Kosovës dhe boks-dashësit anembanë Kosovës.