Dita Botërore e Mjedisit këtë vit u shënua me aktivitete të shumta mjedisore e artistike në qytetin e Gjilanit bashkë me Drejtoria Komunale e Arsimit DKA – Gjilan dhe nxënësit e mësimdhënësit e Eko Klubeve të shkollave të mesme të larta partnere të projektit YENI. Me entuziazëm e plot pozitivitet, këtë ditë të rëndësishme e shfrytëzuam për të ndërgjegjësuar dhe promovuar zgjidhjet ndaj ndotjes nga plastika në veçanti, si dhe për të nxitur veprime pozitive në mjedis. Aktivitetet e sotme:
Ekspozita “Ndal ndotjen nga plastika” në Sheshin e Qytetit ku u prezantuan panele informuese dhe këshilluese rreth ndikimit të plastikës në mjedis dhe hapat që mund të ndërmarrim për reduktimin e ndotjes.
Shpalosja e veprës së artistit Driton Selmani “No time left” nga cikli — “Love Letters, 2018, ongoing”.
Inspiruar në punën e tij, u mbajt punëtoria “Çka janë qeset e plastikës për ju?” me ç’rast nxënësit e Eko Klubeve patën mundësi të shprehin mendimet e tyre në qeset e plastikës. Këto punime do të shfaqen në ekspozitat shkollore nga Eko Klubet.
Mbjellja e përbashkët e pishave në kampusin e shkollave të mesme të Gjilanit, duke kontribuar në gjebrimin dhe reduktimin e ndotjes në ambientin e kampusit të nxënësve.
Inaugurimi i projektit mjedisor të dizajnuar nga Eko Klubi i Shkollës së Muzikës, i cili u shoqërua me ndarje mirënjohjesh dhe performanca muzikore. Projekti për gjelbërimin e tërë oborrit të shkollës u realizua bashkë me OJQ CEDE – Center for Education and Development of Environment.
Për fund, bashkë e shiquam dokumentarin mahnitës “The Plastic Problem” që trajton ndotjen e mjedisit nga plastika.
Falënderojmë koordinatorët e Eko Klubeve, nxënësit dhe zyrtarët komunal për angazhimin e tyre të palodhshëm.
Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit “Ndikimi i Rinisë në Mjedis” (YENI), i cili implementohet nga Caritas-i Zviceran dhe bashkëfinancohet nga Ministria e Zhvillimit Rajonal dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Koordinim, si dhe u mbështet nga Komuna e Gjilanit dhe menaxhmenti i shkollave të përfshira.