ARSIMI

Në Gjimnazin Natyror ‘’Xhavit Ahmeti’’ u organizua aktivitet mbi  Edukimin Medial

Në Gjimnazin Natyror ‘’Xhavit Ahmeti’’ në Gjilan, në kuadër të aktiviteteve të Doku Fest, që është një Festival i njohur i Filmit Dokumentar, përkrahur nga OSBE, është organizuar një prezantim-punëtori mbi edukimin medial, në të cilin ligjëruesja Magbule Xhemaili, magjistër e arteve pamore i ka njoftuar nxënësit se çfarë janë mediat, si prodhohen lajmet, sa janë ato të rëndësishme për njeriun, familjen  e shoqërinë dhe se si duhet të kemi kujdes se çfarë informata dhe nga kush i marrim ato.

Siç ka theksuar profesoresha Xhemaili, në botën digjitale në të cilën jetojmë sot, shpesh mund të biem pre e lajmeve të pavërteta, andaj shpesh ne duhet edhe të konsultohemi me familjen, ekspert të fushës, mësimdhënës, por edhe me prindër, psikologun e shkollës dhe faktorë të tjerë me ndikim. Sipas saj, një ndikim tejet të madh kohëve të fundit kanë edhe rrjetet sociale, të cilat nuk janë shfaqur për të krijuar rreziqe, por që ndodh shpesh që mund të biem pre e përmbajtjeve negative dhe të atyre që promovojnë dhunë.

,,Rrjetet social pos që mund të vihen në shërbimin tonë, ato shpesh edhe mund të kenë efekt negative nëse nuk përdoren siç duhet, si p.sh. humbje të panevojshme të kohës, të përqendrimit, pagjumësi, rënien në mësime dhe efekte të tjera’’, tha profesoresha Xhemaili.

Ajo ka cekur se është shumë me rëndësi se me kë bisedojmë dhe informacionet që japim, ngase të dhënat e besueshme shpesh edhe mund të keqpërdoren, andaj nuk është mirë që të botojmë informacione e fotografi personale. Ajo ka folur edhe për stereotipet dhe paragjykimet që i hasim në media dhe se si duhet të ruhemi nga to.

Ligjërata është përcjellë me interesim të shtuar të nxënësit, të cilët nëpërmjet pyetjeve të vazhdueshme kanë shprehur dëshirën të dinë më shumë në këto tema e në të cilat pos profesoreshës Xhemaili është përgjigjur edhe Flaka Asllani, nga Organizata Doku Fest me seli në Prizren.

You Might Also Like