Gjilan, 23 maj 2023 – Në shkollën e mesme teknike “Mehmet Isai”, është bërë të martën inaugurimi i pajisjeve laboratorike për aftësim profesional me donacion projektit LuxDev të Luksemburgut, në ngjarjen ku mori pjesë kryetari i Komunës, Alban Hyseni, së bashku me nënkryetaren Leonora Morina – Bunjaku, drejtorët komunalë, Albana Demiri e Mentor Mihovci dhe përfaqësuesit e LuxDev, Arta Hoxha dhe Daniel Cristian Passalacqua.
Kryetari Hyseni ka falënderuar qeverinë e Luksemburgut për mbështetjen e madhe të ofruar në realizimin e këtij projekti për aftësimin profesional të nxënësve të kësaj shkolle.
“Shkolla e mesme teknike në Gjilan, por edhe profilet profesionale janë me rëndësi të veçantë për komunën tonë, por besoj edhe për tregun e punës. Në këtë laborator është bërë kombinimi i dy profileve në kuptimin e pajisjeve laboratorike në një hapësirë të përbashkët, të cilat lidhen me njëra-tjetrën për specifikat që i kanë. Pajisjet që i pranuam sot, por edhe pajisjet tona që i kemi këtu, kanë vlerën e diku prej 150 mijë euro në vetëm këtë laborator. Pra, pothuajse është gjysma e kësaj vlere që ka ardhur donacion”, ka thënë kryetari Hyseni.
Zëvendësminstrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku Bërdyna, pasi falënderoi LuxDev për këtë donacion, tha se ata janë partner strategjik sa i përket arsimit dhe aftësimit profesional.
“Për ne si MASHT dhe si Qeveri, arsimi dhe aftësimi profesional zë një vend kyç në politikat tona. Konsideroj që arsimi dhe aftësimi profesional të bëhet në përputhje me tregun e punës, diçka që po shihet në praktikë këtu”, ka thënë ajo.
Përfaqësuesja e projektit LuxDev, Arta Hoxha, tha se Luksemburgu mbetet një partner strategjik i Kosovës, ku arsimi dhe aftësimi profesional është në fokus të intervenimeve të tyre edhe në të ardhmen.
Fjalë falënderimi për donacion pati edhe drejtoresha e shkollës teknike “Mehmet Isai”, Lumnije Tahiri.