Në Universitetit Publik “Kadri Zeka”, u mbajt takimi bashkëbisedues me Poetin e Parë Laureat të Letërsisë Shqipe z. Rudolf Markun.
Takimi u hap me një përmbledhje të shkurtër të biografisë së shkrimtarit nga Dekani i Fakultetit të Edukimit, Merxhan Avdyli.
Pas tij edhe Rektori, Bajram Kosumi i dalloi katër pamje tunduese në veprën e Rudolf Markut. 1. Atdheu i shqiptarit, e cila mund të identifikohet me pyetjen: Ku është atdheu? Ku është Tirana? Ku është Prishtina? 2. Tradita dhe modernja identitare, balta dhe asfalti, imitimi dhe snobizmi. 3. Poetët janë qytetarë të Ferrit. 4. “Falja u përket fitimtarëve të shpirtit.” Rektori Kosumi shfaqi këndvështrimin e tij për veprat e autorit, duke veçuar dhe interpretuar disa nga poezitë dhe romanet e tij, për të hapur më tej rrugën drejt diskutimeve të frytshme letrare ndërmjet autorit dhe studentëve si për veprat e autorit, ashtu edhe për letërsinë si art i fjalës së bukur në përgjithësi. Studentët e Edukimit Fillor të nivelit Baçelor dhe studentët e Gjuhës dhe Letërsisë shqipe të nivelit master, të njohur me veprat e shkrimtarit, bashkëbiseduan rreth vlerave artistike dhe estetike të këtyre veprave, gjuhën, stilin, figuracionin, aspektet ideore e tematike, veçanërisht të romaneve “Tre divorcet e zotit Viktor N”, “Kësulkuqja vjen me trenin e dhjetës” dhe “Pritja”. I paanashkaluar ishte edhe bashkëbisedimi për poezitë e Poetit Laureat, çka solli edhe diskutime tjera interesante letrare si: dallimi mes poezisë e prozës, gërshetimi i emocionit dhe mendimit në poezi, kritika letrare dhe politizimi i saj, antologjia e poezisë shqipe dhe veçantitë stilistike e kuptimore të poezisë shqipe që nga shkrimet e para shqipe, koncepti modern e modernist etj. Krahas veprave, studentët u interesuan edhe për kontekstet jashtëletrare të lindjes së veprave si: Sa kohë i duhet Rudolf Markut që të përfundojë një vepër? Ku e merr ai frymëzimin? Përmbledhja “Shokët e mi” dhe mosbotimi i saj për shkak të “gabimeve ideologjike” në kohën e diktaturës komuniste etj. Entuziazmi i studentëve për bashkëbisedim ishte i jashtëzakonshëm, që, sipas fjalëve të Poetit Laureat, i ka kaluar pritshmëritë e tij dhe ngrohtësia që e ka pasur dje në Universitet, ka lënë mbresa që nuk do të shlyhen në kujtesën e tij.