Gjilan

Opozita në Gjilan e braktis sërish seancën e Kuvendit, kërkon transmetim live, nuk mjaftohet me live stream në youtube

Gjilan, 7 mars / Opozita në Gjilan, për të njëjtat arsye sikurse javën e kaluar, ka vendosur ta lëshojë edhe seancën e sotme Kuvendit, për shkak të mungesës së transmetimit medial të saj, duke mos u mjaftuar me transmetimin live stream në youtube.

Kryesuesi i Kuvendit, Kushtrim Kadriu, sqaroi se kontrata për transmetimin e drejtpërdrejtë të seancave, me operatorin ekonomik Radio-Star, ka skaduar, duke shtuar se Komuna ka siguruar transmetim live stream në youtube.

Por, opozita, e cila përbën shumicën në Kuvendin e Gjilanit, nuk pranoi të punojë në këto kushte, sipas saj, jo transparente dhe e lëshoi sallën, duke e lënë Kuvendin pa kuorum.

Ata kërkuan që sa më shpejt të gjendet një zgjidhje sa i përket transmetimit të seancave, duke thënë se janë në gjendje ta bëjnë këtë edhe vetë, nëse nuk ekziston gatishmëria nga Komuna.

Përndryshe, maturantët e Gjilanit, përmes përfaqësuesit të tyre, paraqitën para kuvendarëve të Gjilanit kërkesën për anulimin e vendimit për ndalimin e ekskursioneve në Shqipëri dhe lejimin e tyre, por Kuvendi nuk arriti të nxjerrë ndonjë rekomandim, pasi që i ndërpreu punimet pa hyrë në rend të punës.

You Might Also Like