Te ndryshme

“Pa liri, jeta ime është errësirë”: 25 vjet nga rënia e Heroit të Kosovës, Rrahim Beqiri – Roki

I lindur dhe i rritur në një familje me tradita të thella atdhetare në Kopërnicë të Kamenicës, Rrahim Beqiri e kishte bërë betimin e jetës që në rini: nuk do ta ndalte luftën kundër pushtuesit serb dhe sllavizmit derisa të frymonte, për t’i dhënë fund shtypjes shekullore të shqiptarëve.

Përkushtimi ndaj kombit e shtyu të thellonte njohuritë mbi kulturën dhe identitetin tonë. Ai studioi Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Prishtinës, duke u frymëzuar nga veprat e Rilindësve. Kur shpërthyen demonstratat historike të vitit 1981, Rrahimi u pozicionua në ballë të kërkesave mbarëpopullore. Pasojat ishin të rënda: ai u burgos dhe u torturua mizorisht nga aparati policor i kohës. Megjithatë, burgu dhe dhuna nuk e thyen; ato vetëm sa ia forcuan idealin dhe vendosmërinë.

Presioni dhe përndjekja e vazhdueshme gjatë viteve të 90-ta e detyruan të mërgonte në Gjermani. Por distanca fizike nuk e ndau nga atdheu. Rrahimi u bë një nga shtyllat e Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), duke kontribuar fuqishëm në përgatitjet për rezistencë të armatosur. Me të krisur pushka e parë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ai braktisi mërgimin dhe u radhit në Zonën Operative të Karadakut. Luftëtari i paepur, i cili u bë tmerr për forcat serbe në betejat e ashpra të Zonës së Marecit, u rikthye si fitimtar në qytetin e Gjilanit në qershor të vitit 1999, së bashku me bashkëluftëtarët e tij.

Edhe pas përfundimit të luftës në Kosovë, shpirti i tij kryengritës nuk mund të toleronte padrejtësitë. Ai u përplas ashpër me trupat ruse të KFOR-it, të cilat, sipas tij, po mbronin strukturat kriminale serbe të zhvendosura nga Bosnja në Kosovë. Nga ky konfrontim, ai u arrestua dhe u maltretua rëndë fizikisht, një tjetër sfidë të cilën e kaloi me dinjitet të pashembullt.

Kur makineria ushtarake serbe, nën sytë e ndërkombëtarëve, filloi represionin dhe vrasjen e civilëve shqiptarë në Kosovën Lindore, Rrahim Beqiri kapi sërish armën. Ai iu bashkua UÇPMB-së, duke shërbyer me devotshmëri në Zonën e Qarrit. Edhe pas Marrëveshjes së Konçulit në vitin 2001, e cila parashihte demobilizimin e ushtarëve, ai dhe disa bashkëluftëtarë refuzuan të dorëzonin armët, duke i qëndruar besnik betimit se armën do ta lëshonte vetëm bashkë me jetën.

Ky betim e çoi drejt luftës së tij të tretë çlirimtare. Duke kaluar kufirin përmes Tanushës, trimi nga Kamenica u inkuadrua në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) në Maqedoninë e Veriut. Falë vizionit, guximit dhe aftësive të tij strategjike, Shtabi i Përgjithshëm e emëroi Komandant të Batalionit në Brigadën 112 “Mujdin Aliu” në zonën e Tetovës. Atje tregoi heroizëm të rrallë.

Gjatë luftimeve të rrepta, Komandant Roki merr plagë të rënda nga një granatë armike. Pas nëntë ditësh beteje për jetën në spitalin e Prishtinës, trimi i tre luftërave shqiptare kaloi në përjetësi më 2 Gusht të vitit 2001.

Në moshën 44-vjeçare, pas 22 vitesh të plota jetë kushtuar lëvizjes ilegale dhe luftërave çlirimtare, Komandant “Roki” u varros me nderime të larta ushtarake në Varrezat e Dëshmorëve në Kamenicë. Pas vetes la një trashëgimi të lavdishme dhe një familje krenare: bashkëshorten dhe katër fëmijët – Liridonin (atëherë 18 vjeç), Vedatin (14 vjeç), Egëzonin (12 vjeç) dhe Kreshniken (9 vjeçe). Për kontributin e tij madhor, shteti e nderoi pas vdekjes me urdhrin e lartë “Hero i Kosovës”.

Jeta dhe vepra e tij përmblidhen më së miri në fjalët që ai vetë i përsëriste shpesh:

“Jeta ime i takon Kosovës dhe popullit shqiptar, pa liri jeta ime është errësirë.”

Për të shënuar këtë përvjetor dhe për të nderuar veprën heroike të Komandant Rrahim Beqirit – Roki, organizohen këto aktivitete përkujtimore:-

– 10:00 – Homazhe dhe nderime tek Varrezat e Dëshmorëve në Kamenicë.
– 10:30 – Vendosja e luleve pranë lapidarit të dëshmorëve në fshatin Kopërnicë.
– 11:00 – Ecje Përkujtimore. Nisja bëhet nga Kulla e Kadri Zekës në Poliqkë, ndërsa destinacioni përfundimtar është Maja e Kikës.

You Might Also Like