Në një rast të veçantë që nxjerr në pah profesionalizmin dhe përkushtimin e mjekëve kosovarë, dy kardiologë të shquar nga Gjilani, Dr. Agron Leka dhe Dr. Arlind Ferati, kanë arritur të shpëtojnë një pacient 50-vjeçar, i identifikuar me inicialet H.K., nga një sëmundje e rrallë dhe vdekjeprurëse.
Pacienti H.K., i cili për një kohë të gjatë përballej me simptoma shqetësuese dhe një gjendje alarmante shëndetësore, kishte kryer disa kontrolle mjekësore më parë, por diagnoza e tij nuk ishte identifikuar. Duke mos gjetur zgjidhje, ai vendosi të kërkojë ndihmë në Ordinancën Specialistike Internistike Kardiologjike “Leka Cardiovit”, ku përkushtimi dhe ekspertiza e dy mjekëve do të rezultonin vendimtare.
Pas vizitës fillestare dhe analizave të kryera nga Dr. Agron Leka dhe Dr. Arlind Ferati, u sugjerua që pacienti të kryente kontrolle të avancuara në Spitalin Rajonal të Gjilanit. Në saje të profesionalizmit dhe përvojës së tyre, ata arritën të zbulojnë një sëmundje të rrallë: diseksion të aortës, e njohur ndryshe si qarje e arterieve kryesore.
“Diseksioni i aortës është një sëmundje tepër e rrallë, që ndodh në vetëm pesë raste për çdo një milion banorë,” shpjegoi Dr. Leka. “Për çdo orë të kaluar pa trajtim, rritet ndjeshëm rreziku i vdekshmërisë. Zbulimi i kësaj diagnoze kërkon njohuri të thella dhe përkushtim, sepse shumë herë simptomat mund të ngatërrohen me sëmundje të tjera.”
Duke kuptuar urgjencën e situatës, dy mjekët organizuan transferimin e menjëhershëm të pacientit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë. Aty, pacienti iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale tepër komplekse që zgjati gjashtë orë.
Operacioni u krye me sukses nga ekipi mjekësor në QKUK, ndërsa roli i diagnostikimit të hershëm u vlerësua si faktor vendimtar për shpëtimin e jetës së pacientit.
“Falë këtij zbulimi në kohë, pacienti arriti të kryejë një ndërhyrje kirurgjikale shumë të komplikuar. Për fat të mirë, gjithçka u realizua në mënyrë profesionale dhe me sukses,” shtoi Dr. Agron Leka.
“Dua të falënderoj publikisht edhe kolegun tim, Dr. Arlind Ferati, i cili me njohuritë dhe përkushtimin e tij profesional luajti një rol vendimtar në këtë rast.” Dr. Arlind Ferati, nga ana tjetër, ndau emocionet e tij lidhur me rastin:
“Jam shumë i lumtur që pacienti arriti të kalojë këtë sfidë jetësore. Diagnostikimi i hershëm dhe i saktë është çështje primare për shpëtimin e jetës. Rasti i H.K. është dëshmi e qartë se puna ekipore dhe përkushtimi mund të bëjnë ndryshimin në situata kritike,” theksoi ai.
Pas kalimit me sukses të ndërhyrjes kirurgjikale, pacienti H.K. tani gëzon një shëndet të qëndrueshëm dhe është tejet mirënjohës për dy mjekët që i shpëtuan jetën. “Dr. Leka dhe Dr. Ferati më shpëtuan jetën. Ata zbuluan diagnozën time dhe bënë të mundur që unë të operohesha në kohë. U jam mirënjohës përjetësisht jo vetëm atyre, por edhe ekipit që më trajtoi në QKUK. Kur unë dhe familja ime kishim humbur çdo shpresë, ata u bënë drita në fund të tunelit,” u shpreh ai.
Familjarët e tij gjithashtu ndanë falënderime të thella për kujdesin dhe përkushtimin e treguar nga mjekët. Rasti i H.K. vë në pah rëndësinë e diagnostikimit të saktë dhe të shpejtë, si dhe profesionalizmin e mjekëve në Kosovë. Dr. Agron Leka dhe Dr. Arlind Ferati kanë dëshmuar se mjekësia kosovare është e aftë të trajtojë edhe rastet më komplekse, duke shpëtuar jetë në momente kritike. Institucionet shëndetësore dhe komuniteti duhet të jenë krenarë për mjekë të tillë, të cilët jo vetëm që sjellin shpresë për pacientët, por edhe forcojnë imazhin e mjekësisë kosovare si një profesion që synon të arrijë më të mirën për shëndetin publik./Sylejman Ismajli/ /Kryelajmi.com/.