Gjilan

Paralajmërohet bllokimi i magjistrales Gjilan-Prishtinë

Paralajmërohet bllokimi i magjistrales Gjilan-Prishtinë

Burim Muji, përfaqësues i lagjes Gllama në Bresalc të Gjilanit në emër të banorëve të 80 shtëpive të kësaj lagje, ka paralajmëruar bllokim të magjistrales Gjilan-Prishtinë nga dita e hënë nëse deri atëherë nuk nisin punimet për rregullimin e rrugës së kësaj lagjeje e cila është shkatërruar për shkak të punimeve në autostradë prej fillimit të punimeve.

Muji ka thënë se ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu këtë lagje e ka vizituar në vitin 2021 ku ka premtuar se kjo rrugë do të rregullohet shpejt, ndërsa rruga vetëm sa është keqësuar.

“Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu në vitin 2021 e ka vizituar rrugën e Gllamës në Bresalc, rrugë kjo e demoluar për shkak të punimeve për kyçjen në autostradë. Pati premtuar se rruga do të rregullohet brenda një afati të shkurtër kohor dhe se banorët e kësaj lagjeje do të mund të qarkullojnë lirshëm. Në të njëjtin vit, këtë rrugë e ka vizituar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti”, ka shkruar Muji në llogarinë e tij në Facebook.

Ai ka shtuar se në këtë lagje janë 80 shtëpi, banorët e të cilëve po përballen tani e sa vite me të njëjtat telashe, sidomos nxënësit e shkollave.

“Bëhet fjalë për hiç më pak se 80 shtëpi të jetueshme në këtë lagje. Nxënësit e kësaj ane kanë shumë telashe për të shkuar në shkollë, ndërsa banorët e tjerë kanë vështirësi të përditshme për kryerjen e punëve të tyre sepse qarkullimi është shumë i vështirë’.

“Sigurisht se nuk ka nevojë për t’i dhënë këto arsyetime për një punë e cila është totalisht në përgjegjësi të institucioneve të cilat janë të obliguara për t’i ofruar shërbime të nevojshme qytetarëve sepse janë taksat tonat”, ka shtuar Muji.

Muji ka thënë se kërkesa e tyre është që punimet të nisin nga sot deri të dielen e kësaj jave, në të kundërtën, të hënën bllokohet magjistralja Gjilan-Prishtinë.

“Që janë mashtruar qytetarët e kësaj ane, kjo tanime nuk do koment, por a do të durojmë tutje, kjo varet nga hapat që do t’i ndërmarrin institucionet brenda pak ditësh”.

“Pra, kërkesa jonë është që punimet për rregullimin e rrugës së Gllamës në Bresalc të nisin nga sot deri të dielen, nëse nuk ndodh kjo, të hënën magjistralja Gjilan-Prishtinë, më saktësisht tek kyçja në autostradë, do të bllokohet me trupa të këtyre banorëve”, ka apeluar Muji.

Ai ka thënë se në këtë vendim të tyre janë shumë serioz dhe se janë të detyruar të veprojnë sepse taksat e tyre grumbullohen në xhepin e shtetit ndërsa shërbime në të mirë të tyre s’ka.

“Çka është mjaft, është mjaftë. Qytetarëve nuk ju interesojnë procedurat, ata duan shëbrime cilësore sepse po paguajnë taksa prej xhepit të tyre të varfër”.

“Shpresojmë që deri të dielen nisin punimet, në të kundërtën jemi të detyruar ta bllokojmë magjistralen dhe kjo është shumë serioze!”, ka përfunduar Muji.

You Might Also Like