ARSIMI

PAS NJË JAVE DO TË MBAHET “OLIMPIADA MATEMATIKE E GJILANIT – OMGJ 2019”

Nga: Festim Shkodra, koordinator i OMGJ 2019

 

PAS NJË JAVE  DO TË MBAHET “OLIMPIADA MATEMATIKE E GJILANIT – OMGJ 2019”

( për nxënësit e klasave IX, X, XI dhe XII )

Më 23.02.2019, të shtunën, në ora 10:00 fillon Olimpiada Matematike e Gjilanit (OMGJ) për vitin shkollor 2018/19, për nxënësit e klasave të IX të SHMU dhe nxënësit e klasave  X, XI e XII të SHML të Komunës së Gjilanit. Kjo garë do të mbahet në Gjimnazin Natyror ,,Xhavit Ahmeti” në Gjilan, nën përkujdesjen e DKA-së së Gjilanit dhe në bashkëpunim me Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës(SHMK). Pas solemnitetit të hapjes së kësaj olimpiade, nxënësit garues në ora 11.00 fillojnë testin, njëkohësisht me bashkëmoshatarët e tyre nga tërë Kosova duke iu nënshtruar testeve të njëjta të përgatitura nga SHMK, në varësi të klasave që vijojnë.

             Madhështinë e kësaj gare sivjet e rritë edhe fakti që po mbahet në 11-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Aq më tepër që matematikanët e rinj gjilanas, po i kontribuojnë edhe afirmimit të shtetit tonë duke i sjellë atij edhe medalje olimpike, medalje nderi, lavdërata etj. nga Olimpiadat Botërore të Matematikës  (IMO), por edhe duke u bërë pjesë e autorëve të detyrave të këtyre garave dhe garave tjera ndërkombëtare.

Për pjesëmarrje në këtë garë përzgjedhen më të mirët, në shkollat e tyre prej nga vijnë. Nga fituesit e Olimpiadës Matematike të Gjilanit, tre të parët e secilës prej klasave IX, X, XI dhe XII formohet ekipi përfaqësues i Komunës së Gjilanit, për pjesëmarrje në Olimpiadën Matematike të Kosovës (OMK) 2019, që do të mbahet më 02.03.2019, në Gjimnazin e Specializuar Matematikor në Prishtinë. Fituesve të OMGJ 2019, do t’iu dhurohen mirënjohje, medalje, libra dhe shpërblime të tjera modeste të siguruara nga DKA në Gjilan dhe ndonjë donator eventual privat, dashamir i arsimit dhe matematikës.

Detyrat e OMGJ 2019 dhe OMK 2019, për klasën e IX, bazohen në standardin e arritshmërisë së klasës së IX, si dhe kërkohet njohje e programit mësimor të klasave paraprake shkollore. Ndërsa detyrat e për klasat X, XI dhe XII, bazohen në standardin e arritshmërisë së gjimnazit, të drejtimit natyror, të klasës përkatëse si dhe kërkohet njohje e programit mësimor të klasave paraprake të drejtimit natyror te gjimnazit dhe klasave paraprake të SHMU. Poashtu detyrat e këtyre olimpiadave bazohen edhe në olimpiadat e ngjajshme të shteteve tjera dhe Olimpiadave Ndërkombëtare të Matematikës. Sivjet në të gjitha komunat e Kosovës, nxënësit garues varësisht nga klasa që vijojnë, do t’i nënshtrohen njëkohësisht testit të njëjtë në olimpiadat e tyre komunale. Këto teste do të përpilohen nga Shoqata e Matematikanëve të Kosovës (SHMK).

Olimpiadën Matematike të Kosovës e organizon Shoqata e Matematikanëve të Kosovës (SHMK). Njëzetë nxënësit më të suksesshëm nga OMK 2019, më 09 Mars 2019  në ora 10:00 , në lokalet e Gjimnazit të Specializuar Matematikor në Prishtinë, do t’i nënshtrohen TST – Testit për Përzgjedhjen e Ekipit gjashtë anëtarësh të Kosovës për pjesëmarrje në Olimpiadën Matematike Ndërkombëtare (IMO) 2019. Poashtu edhe testi TST përgatitet nga SHMK dhe është i njëjtë për të gjithë garuesit, pa marrë parasysh klasat që vijojnë.

 

 

IMO 2019 është olimpiada e LX me rradhë dhe  do të mbahet në Bath të Mbretërisë së Bashkuar (United Kingdom), prej 11 – 22 Korrik 2019, ku Kosova do të marrë pjesë për herë të nëntë,  në cilësinë e anëtarit me të drejta të plota.

Shteti dhe shoqëria jonë duhet t’i përkrahë sa më tepër këta të rinj të talentuar, sepse ata nesër do të jenë shtyllë tejet e fuqishme e zhvillimit të vendit dhe shoqërisë sonë. Pasi që matematika dhe logjika e të  menduarit matematik është bazë tejet e dobishme për formimin e ekspertëve në shumë lëmi me rëndësi tejet të mëdha për zhvillimin e shtetit tonë.

Ju dëshirojmë shumë suksese të gjithë nxënësve që do të marrin pjesë në këtë olimpiadë në Gjilan dhe mbarë Kosovën!

You Might Also Like