Pas pjesëve korale, të Korit të shkollës së muzikës, të drejtuar nga profesori Artan Jerliu, para të pranishmëve, drejtori i shkollës sonë, Roland Masurica, ka thënë se 28 Nëntori është festa që shpërfaqë më së miri identitetin tonë kombëtar kudo në botë.
“Po ta shikojmë kronologjinë historike, ngjarjet më të rëndësishme që mund t’i veçojmë janë: rezistenca e Skënderbeut, shpallja pavarësisë dhe e fundit ditëlindja e heroit tonë, Adem Jashari”, ka pohuar ai duke shtuar se, edhe kësaj here, nxënësit tanë janë ata të cilët këtë ngjarje e kane ilustruar më së miri me kreativitetin e tyre artistik, përmes pikturës, skulpturës, veshjes e fotografisë.
Ndërsa, profesoresha Kaltrina Berisha, kryetare e Aktivit profesional të artit, ka përgëzuar nxënësit për punën që e kanë bërë.
“Kjo punë e mrekullueshme e tyre është meritë edhe e angazhimit të mësimdhënësve, për çfarë, në emër të Aktivit profesional të artit, ju falënderoj që sot ofroni një ekspozitë shumë të pasur”, ka thënë ajo.
Ndërsa Rinesa Bajrami, kryetare e Këshillit të Rinisë së shkollës, ka pohuar se ajo dhe gjenerata e saj janë me fat dhe se nderimi më i madh që u bërë këtyre datave historike dhe sakrificës së madhe, është angazhimi i vazhdueshëm në mësime, sot si nxënës, e nesër si studentë.
Pas pjesës artistike të programit, drejtoria e shkollës dhe Aktivi profesional i artit, kanë ndarë mirënjohje për disa nga nxënësit e dalluar të shkollës sonë.