Gjeneratat më të vjetra, por edhe ata të cilët e kanë jetuar një pjesë të jetës në periudhën e paraluftës e mbajnë në mend se rrugët janë pastruar relativisht shpesh me ujë, dhe janë fshirë nga kompanitë mirëmbajtëse të asaj kohe.
Sot, kemi një realitet tjetër!
Edhe pse jeta është bërë më dinamike, shtimi i numrit të veturave, i qytetarëve, i ndërtimeve, kaminonë të tonazheve të ndryshme duke lënë pas vete zhavor dhe rërë, më pas rëra që hidhet gjatë dimrit, por edhe shumë faktorë të tjerë që e ndotin ambientin, prap se prapë qeveritë komunale nuk marrin masa që ky problem serioz, që po nxinë jetën e qytetarëve për ditë e më shumë të sanohet dhe të ketë një tretman më të mirë.
Shihet qartë urgjenca e angazhimit të kompanive për t´u marrë me këtë punë, apo edhe ndoshta kompanitë ekzistuese që janë në gjumë, të zgjohen dhe të marrin përsipër sanimin e dëmeve të kahmotshme.
Nuk mjafton një pastrim sipërfaqësor i bërë sa për sy e faqe.
Të gjithë që kanë patur rastin të vizitojnë ndonjë vend europian, kanë vërëjtur se si qëndrojnë me pastërtinë.
Një përvojë e tillë i nevojitet qyteteve tona. Kemi nevojë imediate për sanimin dhe rregullimin e infrastrukturës rrugore dhe mirëmbajtjen e tyre. Larja e rrugëve me ujin e grumbulluar enkas për një veprim të tillë, e ndryshon pamjen dhe i jep gjallëri qyteteve tona, e bënë jetën më cilësore, një ambient më i pastër reflekton dashuri për qytetin dhe vendin në përgjithësi.
Komunat e Kosovës dhe të zgjedhurit me votë nga qytetarët nëpër Asambletë Komunale, duhet ngritur këtë qështje në vazhdimësi dhe mos t´a lënë në mëshirën e fatit këtë problem kaq madhor. Drejtoritë e Shërbimeve Publike në nivel komunash të ngrisin kapacitetet dhe të bëjnë pastrimin e rrugëve dhe trotuareve në të gjitha lagjet e komunave ku veprojnë.
Nuk duhet drejtuar gishtin askujt, por duhet një angazhim më i shtuar dhe përgjegjësi më e madhe nga institucionet të cilat janë të thirrura për mirëmbajtjen dhe sanimin e rrugëve në nivelet komunale.
Është e papranueshme që pastrimi të bëhet vetëm në kuadër të angazhimit shtesë që kanë ndërmarrë komunat për parandalimin e virusit COVID-19.
Pastrimi i rrugëve dhe trotuareve të bëhet një rutinë, pasi që një ambient më i pastër mbronë shëndetin e qytetarëvë!
Shkruan: MSc. Skender Berisha