Gjilan

Qemajl Mustafa: Unë nuk do të jem as kandidati i PDK e as kandidat i pavarur për kryetar të komunës së Gjilanit

SQARIM PËR GJILANASIT
 
(dhe për publikun e gjërë)
 
Të nderuar e të respektuar miq,
Të nderuar e të respektuar qytetarë të Gjilanit,
E kam konstatue që ditëve të fundit, në publikun e komunës tonë (por edhe më gjërê), është krijuar paqartësi rreth angazhimeve të mia në jetën politike. Ndoshta unë nuk isha mjaftueshëm i qartë?!
Profilet e ndryshme në rrjetet sociale po e bëjnë “matjen” e opinioneve për kandidatët e mundshëm për kryetar komune. Kohë pas kohe, në këto “matje”, është vendosur edhe emri e fotografia ime për mundësinë e kandidimit për kryetar komune në zgjedhet e 17 Tetorit. Bile, ndonjëri nga këto profile (që shpesh janë në shërbim të individëve e të subjekteve poltike) pa pikë përgjegjësie publike, e kanë vënë emrin tim si kandidat i pavarur për kryetar.
Andaj, e shoh më se të nevojshme që para jush miq të nderuar, para ish kolegēve të nderuar të punës e të aktivitetit në PDK e në komunë, dhe para qytetarëve të nderuar të Gjilanit ta sqaroj pozicionin tim.
Unë nuk do të jem as kandidati i PDK e as kandidat i pavarur për kryetar të komunës së Gjilanit. PDK e ka humbur rastin që të jem kandidati i saj qysh nga zgjedhjet e vitit 2019 kur mori qëndrim që të mos isha në listën e saj të kandidatëve për deputet dhe sidomos e ka humbur këtë rast me diskriminimin që ma bëri mua dhe degës në Gjilan për zgjedhjet e sivjeme nacionale të 14 Shkurtit.
PDK ka sfidime të brendshme, ashtu qysh i kanë thuaja të gjitha subjektet politike të Kosovës dhe kjo tashmë është e njohur për publikun e gjërë. Shumëçka është thënë këto vitet e fundit në diskutimet e brendshme në parti por pak është veprue që të hiqen ose së paku të zvoglohen pengesat në mënyrë që PDK të jetë subjekt unik, i hapur, i moderuar, me projekt e me kauzë të qartë për t’i shërbyer sinqerisht kërkesat aktuale të qytetarëve të Gjilanit e të Kosovës. Nuk e kam për ambicje të bëj analizë për PDK e sidomos jo në një paraqitje sqaruese sikur kjo. Kjo punë jo edhe aq e lehtë, u mbetet eksponentëve të PDK në qendër e nëpër degë. Në degën e Gjilanit veçanërisht ka çka punohet në këtë drejtim.
Unë hoqa dorë nga pozicioni i të parit të degës së PDK dhe nga të qënit në kryesi të saj sepse pas shumë përpjekjesh për ta zgjuar nga “fjetja e gjatë”, e konstatova qē kjo degë nuk motivohej për punë me mua në krye të saj dhe aq më pak unifikohej. Pra, mbetem vetëm një anëtar pasiv i saj por një vrojtues aktiv i zhvillimeve politike gjithësesi.
U ktheva në krye të degës para më shumë se dy vitesh me kërkesën e një numri të konsiderueshëm të aktivistëve të degës (që unë i konsideroja të mirë) dhe të ish kryetarit Veseli. U ktheva me bindjen që bashkë me kryetarin Veseli dhe me të gjithë në degë ta rikthenim këtë degë aty ku ishte në vitin 2007, 2009 e 2010 dhe ku pretendoja se e kishte vendin. Fatkeqësisht, ndërkohë u pa qartë që aty mungonin vullnetet e shumicës së aktivistëve të strukturës për ta dhënë kontributin e tyre në funksion të ndreqjes së degës dhe unë, arsyeshëm fillova me e trajtue veten time më shumë si pengesë se sa kontribut për degën e për Gjilanin. Andaj hoqa dorë me një vonesë të konsiderueshme dhe me një të vetmin qëllim – që dega ta gjejë sa më shpejt rrugën e lëvizjes së saj përpara.
Unë nuk erdha për me okupue hapsirë në degë. Thjesht erdha sepse aktivistët e saj ma mbushën mendjen që po duan me e rikthye degën dhe me e bë fituese si dikur. Që nga fillimi e bëra të ditur që jam i gatshëm të punoj me të gjithë dhe në harmoni me politikat që i miratojmë bashkë por asësesi sipas tekeve e vullneteve irracionale të individëve. E bëra të ditur që kam plotë vullnet dhe kohë për të bërë punë të mira për degën e PDK dhe për komunën tonë por nuk kam as vullnet dhe as kohë për vendnumrim e për degradim.
Poashtu e sqarova nga fillimi që unë ndërkohë do të lëshoj hapsirë edhe për të parin e degës por edhe për çfarëdo lloj kandidimi tjetër nëse dega unifikohet rreth një apo dy emrave që e kanë afinitetin, ambicien dhe vullnetin për me i shërbye dinjitetshëm degës, Gjilanit dhe Kosovës.
Si duket, nuk u kuptova mirë.
Për fund të këtij sqarimi, po ju njoftoj të nderuarit e mi se unë, Qemajl Mustafa, edhepse prore formalisht jam banor i komunës, nuk e posedoj asnjë cent pasuri materiale në hapsirën e komunës së Gjilanit sepse atë pak trashëgimi që na e kanë lënë të parët tanë, me marrëveshje, e posedon vëllau im në fshat. Shtëpinë në Prishtinë e kemi krijue unë e bashkëshortja ime me punë në biznesin tonë familjar deri në vitin 2005 dhe pastaj nuk e kemi bërë asnjë përparim financiar. Përkundrazi. Pas shitjes së shtëpisë në vitin 2019 ajo pasuri veç sa është tkurrur për shkak të obligimeve të krijuara gjatë viteve të qeverisjes me Gjilanin dhe gjatë shkollimit të fëmijëve. Por, edhe pas krejtë këtij sfidimi e transformimi pronësor sërish, si familje, kulmin e kemi tonin dhe ndjehemi mirë.
E dij që kuluaret kanë thurrur lloj lloj tregimesh për pasuri të shumtë e për “hiset” e mia nëpër ndërtimet e reja shumëkatëshe dhe nëpër bizneset e komunës tionë. S’mund e pengojmë rrjedhën e këtyre muhabeteve qofshin ato edhe plotësisht të pa faktuara. Le të kenë folur dhe le të flitet. Kështu është natyra e mendjes kolektive te shoqëritë e varfëra e të dala prej izolimeve e prej dhunës. Nuk e gjykoj e as nuk e paragjykoj askend. Fundja, është demokratike me u shprehë. Nuk e thërras askend që të besojë pa kusht në këtë që po e them. Kjo ēshtë e vërteta ime dhe le ta mer kush di të dojë dhe sipas shijes e kutit të tij/saj.
Pra, në Gjilan nuk kemi kurrëfarë pasurie materiale por e kemi një pasuri tjetër të pamatshme e të pallogaritshme me shifra. I kemi familjarët e shumtë, i kemi ish kolegët, i kemi shokët e punës në biznes e në politikë, i kemi mijëra e mijëra votues të cilët, me vullnetin dhe me përcaktimin e tyre të lirë më besuan që unë të jem kryetari i Gjilanit për dy mandate. I besuan PDK-së që të jetë shumicë në kuvendin e komunës dhe të delegojë numër solid të deputetëve në kuvendin e Kosovës. Pra, e kam dhe e kemi besimin qytetar që s’matet me kurrëfarë pare.
Ky ishte kapital shumë i madh i qytetarëve të Gjilanit të cilin u mundova sinqerisht (bashkë me të gjithë ata që e qeverisëm komunën për 6 vite) që t’ua kthej me plotë besim e me revalorizim të investimit të tyre.
U jam pafundësisht dhe përjetësisht mirënjohës sepse me besimin e tyre, gjilanasit më krijuan shansin jetik që ta ndihmoja komunën time e tonën dhe ta ndihmoja shtetin tonë të ri poashtu. Jam i sigurtë që bëmë punë të mira për komunën. Unë personalisht, krenohem me atë periudhë të rimëkëmbjes së gjithmbarshme të Gjilanit dhe me shpejtësinë dhe orientimin e qëndrueshëm që i dhamë asaj pavarësisht pengesave financiare që i patëm përgjatë mandatit të dytë. E kanë dëshmue këtë në ndërkohë edhe opinionet e përgjithshme të vet qytetarëve të komunës tonë.
Do të mbetesha i mangët në këtë paraqitje timen sqaruese po të mos i isha mirënjohës e falënderues strukturës së degës, kryetarit e kryeministrit Thaçi si dhe kryesisë së PDK në qendër për besimin që ata e patën në mua me disa kandidime: për këshilltar të KK, për kryetar të komunës dhe në 2014 edhe për deputet. Shpresoj që besimin ua ktheva me shumë punë dhe i bëra të ndjeheshin mirë me Gjilanin e atyre viteve.
Unë, sinqerisht i uroj suksese degës në Gjilan dhe PDK-së anekënd Kosovës sepse kur e pata nda mendjen me i ndihmue aktivisht pata besue që PDK është resurs fort i rëndësishëm i shoqërisë së Kosovēs dhe ajo ekziston me një të vetmin qëllim – për me i ngritë komunat dhe shtetin tonë. Dhe duhet ta konstatojmë bashkë që shteti i jonë dhe komunat tona kanë fitue shumë në këtë drejtim pikërisht nga PDK. Në ndërkohë, përgjatë qeverisjes shumëvjeçare ndodhën edhe plotë keqkuptime të cilat, po deshi anëtarësia e saj i sqaron me elegancë e me mjete demokratike. Dhe pa vonesë… Mbetet të shohim. E më shumë se të shohim, na mbetet të angazhohemi sinqerisht dhe me mundësitë e secilit prej nesh për ta bërë më të mirën për neve, për fëmijët e Kosovës dhe për nipat e mbesat tona poashtu.
Personalisht, jam shumë optimist që edhe PDK por sidomos shoqëria e Kosovës, e gjen rrugën e progresit anipse me plotë vonesë.
Edhe njëherë, suksese PDK-së, suksese Gjilanit, suksese Kosovës!.

You Might Also Like