Trimrron Rexhepi
Është bërë zakon që shoqëria jonë të reagojë me zhurmë për çdo gjë që ngjan “interesante” në rrjete sociale, ndërkohë që çështjet reale që prekin përditshmërinë tonë anashkalohen në heshtje. Një incident i vogël, një deklaratë e pavend, apo një debat i sajuar, mjafton për të ndezur reagime masive, ndarje të mëdha dhe përplasje në opinion publik. Ndërkohë, shtrejtimi i rrymës, ngritja e çmimeve, papunësia, cilësia e dobët e shërbimeve publike apo mungesa e perspektivës për të rinjtë, mbesin në hije.
Është shqetësuese të shohësh se si shoqëria jonë po përfshihet çdo ditë e më shumë në një krizë të thellë vlerash dhe përqendrimi. Spektakle si “Big Brother” apo lajme të tjera të natyrës argëtuese po marrin vëmendjen kryesore të opinionit publik
Kjo është një krizë serioze shoqërore – jo vetëm për shkak të problemeve që kemi, por për mënyrën se si shpërqendrojmë vëmendjen tonë. Ne po harrojmë të pyesim: “Cilat janë çështjet që vërtet kanë ndikim në jetën tonë?” Në vend të kësaj, përfshihemi në debate që prodhojnë shumë zhurmë, por asnjë zgjidhje.
Shteti rrit çmimin e energjisë, qytetari nuk ka ujë të pijshëm të sigurt, shkollat vuajnë nga mungesa e kushteve bazë, por vëmendja jonë është te një video virale apo një personazh i njohur që bën një deklaratë provokuese. Kjo është një formë moderne e manipulimit: një shoqëri që reagon, por nuk mendon. Proteston, por nuk planifikon. Kritikon, por nuk vepron.
Është koha të ndalemi dhe të reflektojmë. Të kthehemi te ajo që ka vërtet rëndësi: mirëqenia, arsimi, drejtësia sociale dhe dinjiteti njerëzor. Sepse nëse vazhdojmë të jetojmë në një shoqëri që emocionohet për gjithçka dhe shqetësohet për asgjë, atëherë do të mbetemi peng të krizave të rreme, duke lënë pas dore realitetin që na prek çdo ditë.