Gjilan

Rotarianët ndihmojnë QMF-të dhe Spitalin e Gjilanit me shtretër dhe pajisje tjera

Klubi Rotarian Gjilani ka dorëzuar sot për Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe Spitalin e Gjilanit një kontingjentë ndihmash, shtretër dhe pajisje ndriçimi për tavolinën operative të sallës së operacionit, donacion ky që klubi rotarian e ka siguruar fal ndihmës së Shoqatës “Busavata” – Zvicër.

Në këtë ceremoni të dorëzim pranimit të këtij donacioni, merrnin pjesë edhe kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Valentina Bunjaku – Rexhepi, përfaqësues të Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit si dhe të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Gjilan, si dhe rotarianë gjilanas.

Fatos Qerimi, kryetar i Klubit Rotarian Gjilani ka thënë se këto ndihma që po i dorëzon sot Klubi Rotarian Gjilani, përbëhen nga dhjetë shtretër si dhe komplet pajisje ndriçimi për tavolinën operative të sallës së operacionit. Ai tha se këto ndihma rotarianët i kanë adresuar për nevojat e Qendrave të Mjekësisë Familjare si dhe Spitalin e Gjilanit dhe janë mundësuar falë Shoqatës “Busavata” – Zvicër me humanistin, bashkatdhetarin Asllan Maliqi.

Ai i ka dorëzuar këtë donacion Klubit Rotarian që ai pastaj t’i adresojë në adresa të caktuara aty ku janë të nevojshme. Qerimi tha se referuar donatorit, vlera e këtyre pajisjeve arrin diku rreth 80 mijë euro dhe se vlerëson se ato do t’i shërbejnë tani qytetarëve, përkatësisht pacientëve.

Qerimi ka falënderuar, donatorin që ka përzgjedhur RC Gjilanin për bashkëpunim, të gjithë ata rotarianë që janë angazhuar në procedura për të pranuar sa më parë këtë ndihmë, por edhe Komunën e Gjilanit, në krye me Lutfi Hazirin, kryetar, që ka mbuluar shpenzimet e transportit.

Kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit Valentina Bunjaku- Rexhepi, tha se ndihet e lumtur që në emër të komunës po e pranon këtë donacion që do të shërbejë për QMF-të dhe Spitalit ne Gjilanit dhe se po dëshmohet vazhdimësia e mirë e bashkëpunimit që ka komuna me rotarianët e Gjilanit.

Ajo tha se edhe më parë kanë pas bashkëpunim me Klubin Rotary Gjilan,i falë të cilës janë bërë punë të mira nga rotarianët që kanë sjellë donacione, por kanë realizuar edhe projekte tjera, duke përmend me këtë rast si të suksesshëm edhe projektin e rotarianëve në ndarjen e bursave për studentë.

Ajo premtoi se bashkëpunim me rotarianët gjilanas do të vazhdoj edhe në të ardhmen, do të thellohet edhe më, ndërsa ka falënderuar edhe donatorët e tjerë, si në këtë rast shoqatën “Busavata’, sepse falë donatorëve veçanërisht falë bashkatdhetarëve tanë, Gjilani po ndihmohet dhe se komuna po zhvillohet për të mirë.

Fejzulla Berisha drejtori Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare ka vlerësuar këtë donacion duke thënë se është i domosdoshëm, pasi nevojat janë përherë, ndërsa mundësitë buxhetore janë të limituara, andaj çdo ndihmë është e mirëseardhur. Ai tha se tani pjesa që është parapara për QMF-të, do të ndahet dhe dërgohet aty ku ka nevojë, derisa pjesa tjetër do të shkojë për nevojat e Spitalit të Gjilanit.

Ai vlerësoi faktin se prej se është drejtor i QKMF-së, ndër donacionet e para kanë qenë pikërisht ato që janë marrë nga RC Gjilani dhe ja, po vazhdon sërish ky bashkëpunim dhe kjo ndihmë nga rotarianët gjilanas për çka iu është mirënjohës.

Dr, Besim Guda këshilltar i drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm, në emër të drejtorit, ka falënderuar rotarianët për këtë ndihmë. Ai tha se është një donacion me një rëndësi të veçantë sepse vije nga njerëzit vullnetmirë. Donacione të tilla, thotë Guda, ndihmojnë në përmirësimin e kushteve dhe të shërbimeve që ofrohen për qytetarët, për pacientët, nga Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit.

 

You Might Also Like