Gjilan

Shefi i Njësisë së Monitorimit të Rasteve, nga EULEX vizitoi Prokurorinë Themelore në Gjilan

Gjilan, 01 shkurt 2019 – Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, ka pritur në takim Shefin e Njësisë të Monitorimit të Rasteve, nga EULEX, z. Hubert Van Eck Koster.

Qëllimi i kësaj vizite ishte prezantimi i mandatit të misionit të EULEX-it, i cili ka për qëllim monitorimin e sistemit të drejtësisë, përkatësisht monitorimin e lëndëve në prokurori dhe gjykata, duke ofruar në këtë mënyrë mbështetje për institucionet e sundimit të ligjit në Kosovë, drejt rritjes së efikasitetit dhe llogaridhënies.

Fillimisht, kryeprokurori Maloku, ka prezantuar veprimtarinë e Prokurorisë Themelore në Gjilan, duke theksuar edhe sfidat me të cilat përballet ky institucion dhe njëkohësisht ofroi mbështetje dhe bashkëpunim, drejt këtij misioni nga EULEX.

Në anën tjetër, Shefi i Njësisë së Monitorimit të Rasteve, z. Hubert Van Eck Koster, e vlerësoi maksimalisht rolin, gatishmërinë dhe përgjegjësinë e kësaj prokurorie dhe theksoi se ky mision ka qëllim mbështetës, duke ndihmuar autoritetet, në krijimin e institucioneve të qëndrueshme, të pavarura dhe të lira nga ndërhyrjet politike.

Gjithashtu, i njëjti ka potencuar se fokusi i monitorimit të rasteve do të jetë tek lëndët e profilit të lartë, të cilat kanë çfarëdo ndikimi, e posaçërisht do të monitorohen rastet që kanë të bëjnë me krimet e luftës, korrupsionit dhe urrejtjes ndëretnike.

Në fund të takimit, Kryeprokurori vlerësoi rolin e misionit të EULEX-it, duke shprehur vendosmërinë për koordinim dhe bashkëpunim në këtë drejtim.

You Might Also Like