ARSIMI

Shkeljet që po e dëmtojnë arsimin e lartë


ismajl Kurteshi  Shkruan: Ismajl Kurteshi, deputet

Në vitin 2002 Kosova e ka pas numrin më të vogël të studentëve për kokë banori në regjion, tani Kosova zënë vendin e parë në Evropë me student për kokë banori. Sot Kosova i ka rreth 6600 student në njëqindmijë banor.

Sikur rritjen e numrit të institucioneve të arsimit të lart dhe rritjen e numrit të studentëve ta përcillte edhe rritja e buxhetit dhe t’i paraprinte një organizim i mirë, sigurisht që efektet e kësaj rritjeje dhe të shiheshin edhe në zhvillimin ekonomik të vendit.

Kjo do të ishte një arritje shumë e rëndësishme sikur rritja të bëhej me kritere dhe procedura përmes të cilave kalojnë zakonisht institucionet e arsimit në vendet ku arsimimit të gjeneratave të reja ju qasen seriozisht.

Këtë rritje të hovshëm të institucioneve të arsimit dhe të numrit të studentëve, nuk e ka përcjell zhvillimi ekonomik që zakonisht ndodh në vendet ku investohet në arsim për nxënien e dijes, sepse te ne hapja e kolegjeve private  synim parësor  e kanë  përfitimin material e universitetet publike hapen në kohë të zgjedhjeve.

Fatkeqësisht kjo rritje i hovshëm është bërë në formë të fushatë, në fushata elektorale, shpesh jo për të fituar dije por për të fituar vota, para dhe qetësi sociale,  këto përfitime të përkohshme të individëve të caktuar dhe klaneve, fatkeqësisht po sjellin pasoja të rënda, afatgjata për vendin.

Nuk mund të pritet cilësi dhe as zhvillim ekonomik në një vend ku një mësimdhënës është i angazhuar në pesë universitete e i ligjëron pesëmbëdhjetë lëndë. Ku një mësimdhënës për një afat i noton me mija student ose  nënshkruan qindra diploma fakulteti. Ku në pesëdhjetë student është i angazhuar vetëm një mësimdhënës.

Përkundër rritjes së madhe të universiteteve e kolegjeve dhe numrit të studentëve në këto institucione, shkollimi i lart është në gjendje të rënd. Shkollimin e lart gjatë 15 viteve të fundit e kanë përcjell shumë dobësi.

Njëri nga faktorët e rëndësishëm që ka ndikuar që arsimi i lart në Kosovë të bije në këtë  gjendje të rënd  është shkelja e ligjeve, kritereve dhe procedurave në fuqi dhe mungesa e masave parandaluese nga kompetentët si dhe mungesa e ndëshkimeve kundër atyre që nuk i respektojnë ligjet në fuqi.  Pasoja e mos respektimit të ligjshmërisë në fushën e arsimit të lart janë të shumta, me këtë rast po i përmend disa prej tyre.

  • Cilësia e ulët, që vjen si pasoj e mungesës së kushteve të nevojshme të punës por edhe një pjese të kuadrit të pa kualifikuar, që janë angazhuar në procesin mësimor në kundërshtim me ligjet dhe kriteret në fuqi.
  • Mungesa e vlerësimit të drejt dhe me kriter të dijës së studentëve.
  • Mos harmonizimi i programeve të akredituara me nevojën e tregut të punës.
  • Akreditimi i programeve edhe në rastet kur nuk plotësohen kriteri minimal i kuadrit me grada shkencore të parapara me akte ligjore dhe kritereve të tjera.
  • Regjistrim i numrit të studentëve përtej numrit të lejuar.
  • Akreditim i programeve të njëjta në shumë universitete dhe kolegje.
  • Shkelje dhe korrupsionit gjatë pranimit në punë të kuadrit mësimor, pranimit të studentëve në studime dhe vlerësimit të dijës së tyre të fituar gjatë studimeve.
  • Falsifikim i diplomave të disa institucioneve të arsimit të lart.
  • Parregullsitë në punën e Agjencisë së Akreditimit.
  • Mungesa e kontrollit të të gjitha proceseve që ndodhin në institucionet e arsimit të lart.
  • Mungesa e institucionit të përgjegjësisë dhe në rastet kur identifikohen shkeljet e ligjit, kritereve, procedurave dhe shkeljeve të tjera.

Në vijim po i përmend disa shkelje konkrete  që janë evidentuar në arsimin e lart në Kosovë nga individ dhe organizata, të cilat i  kanë informuar me shkrim anëtarët e Komisionit Parlamentar të Arsimit. Sipas këtyre informatave:

  1. Në shumë fakultete po hapen programe të pa akredituara.
  2. Anëtarët e Këshillit të Lart të Akreditimit, janë të angazhuar në kolegjet Private si mësimdhënës, edhe pse një gjë e tillë paraqet konflikt interesi, nuk është ndërmarr asnjë hapë nga kompetentët për pengimin e kësaj dukurie.
  3. Në universitetet dhe kolegjet në Kosovë janë identifikuar, 178 profesor që dhe punojnë pa diploma të nostrifikuara. 56 profesor që punojnë pa diploma fare.
  4. Ka raste kur asistentët mbajnë mësim edhe pse kjo është e jashtë ligjshme.
  5. Ka shumë raste kur profesorët krijojnë marrëdhënie pune pa konkurs.
  6. Edhe pse me ligj parashihet që Universitetet dhe kolegjet duhet ta kenë së paku 50% të stafit në marrëdhënie të rregullt pune, shumë prej tyre nuk e përmbushin këtë kusht.
  7. Bazuar në informatat që janë sjellë në Komisionin  Parlamentar të Arsimit nga një Ishë-ministër i Arsimit, në njërin nga Universitetet publike në periudhën 24 dhjetor 2014 – 9 korrik 2016 janë shpall 6 konkurse  në të cilat janë kërkuar gjithsej 206 mësimdhënës dhe 51 asistentë, kurse janë pranuar vetëm 14 mësimdhënës dhe 9 asistentë. Në mënyrë të paligjshme janë pranuar 152 mësimdhënës dhe 34 asistent.

Auditori i brendshëm i këti universiteti ka konstatuar se:”Në procesin e regrutimit ka shumë parregullsi, ndër të tjerat… nuk janë thirrur në testim kandidatët që i plotësojnë kushtet e konkursit.

…në dosjet e stafit akademik janë gjetur shumë parregullsi… gradimet e personelit akademik nuk janë konform kualifikimeve dhe përvojave relevante për ato pozita…” Situata nuk ndryshon shumë as në institucionet tjera të arsimit të lart.

  1. Shkelje serioze paraqet edhe mos kompletimi i Komisioni të nostrifikimi, aktualisht janë 7 anëtar kurse duhet të jenë 9 anëtarë.
  2. Në kolegjet private, është bërë traditë që regjistrimi i studentëve të vazhdon gjatë tërë semestrit vjeshtor.
  3. Organizata për rritjen e cilësisë në arsim pas hulumtimit që i ka bërë në UP, për 61  profesorët që janë në pozita udhëheqëse ka konstatuar se: 49% e tyre ose 30 nga 61 mësimdhënës të ( staf akademik), që mbajnë grada profesori, në pozita drejtuese nuk do t’i justifikonin titujt akademik që mbajnë nëse nuk u llogariten si punime shkencore punimet në revistat e dyshimta.
  4. E njëjta organizatë ka konstatuar se edhe po qe se ju numërohen të gjitha punimet si autor të parë, korrespondent, apo të dytë, 42% ose(26 nga 61 mësimdhënës që mbajnë grada profesori) nuk i justifikojnë titujt edhe nëse u llogariten punimet në revistat e dyshimta.
  5. Kjo organizatë (ORCA) i ka analizuar CV-të e 5 anëtarëve të  Këshillit Drejtues të UP-së dhe kanë konstatuar se 5 anëtarët e verifikuar nuk i justifikojnë titujt e tyre akademik sipas rregullores aktuale të UP-së, nëse nuk numërohen edhe punimet në revistat që nuk i përmbushin parimet e revistës së mirëfilltë.
  6. Nga 6 anëtarët e rektoratit rezulton se 3 prej tyre nuk i justifikojnë titujt e tyre akademik sipas rregullores aktuale të UP-së.
  7. Nga 12 dekanët e verifikuar 5 nuk i justifikojnë titujt e tyre akademik sipas rregullores aktuale të UP-së.
  8. Nga 8 senatorët e deleguar 5 nuk i justifikojnë titujt e tyre akademik sipas rregullores së UP-së.
  9. Nga 21 senator 9 nuk i justifikojnë titujt e tyre akademik sipas rregullores së UP-së.
  10. Nga 29 prodekan 12 nuk i justifikojnë titujt e tyre akademik sipas rregullores aktuale të UP-së.
  11. Nga 18 profesor të rregullt 11  nuk i justifikojnë titujt e tyre akademik sipas rregullores aktuale të UP-së.
  12. Nga 23 profesor të asocuar të verifikuar, 12 nuk i justifikojnë titujt e tyre akademikë sipas rregullores aktuale të UP-së.
  13. Nga 20 Profesorët asistent 7 nuk i justifikojnë titujt e tyre akademik sipas rregullores së UP-së.
  14. Vendimi i UP-së datë 02. 06. 2015, nr. protokollit 1/141, për caktimin e kushteve për angazhim në procesin mësimor të stafit akademik… pika 3 thuhet:”Stafi akademik në marrëdhënie të rregullt pune, sipas nevojës për angazhim shtesë, mund të angazhohet edhe për një normë mësimi…” Ky vendim që ende është në fuqi është në kundërshtim me ligjin  e konfliktit të interesit.
  15. Shkelje ligjore ka edhe gjatë regjistrimit të studenteve në Universitetet publike. Është bërë publik rasti i 4 studenteve të Gjilanit që edhe pse e kanë kaluar provimin pranues në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës nuk ju lejohet regjistrimi në studimet master.

Këto janë vetëm disa nga shkeljet që po e dëmtojnë shumë arsimin e lart në Kosovë dhe po i sjellin shumë probleme serioze studentëve, të diplomuarve dhe vendit në përgjithësi.

Pasoj e këtyre parregullsive përveç  tjerash janë edhe dukurit kur gradat shkencore të fituara në fund të studimeve nuk korrespondon me kompetencat e fituara gjatë studimeve të të diplomuarve për shkak të mungesës së mjeteve të punës, mungesës së kushteve por edhe të aftësive dhe punës së duhur të mësimdhënësve. Efektet e nxjerrjes së kuadrove të papërgatitur si duhet shkaktojnë dëme  zingjirore.

Mungesa e orientimit të  planifikuar të shkollarëve të ri shkakton teprica gjegjësisht papunësi të diplomuarve në fusha të caktuara dhe deficit të kuadrove në fushat tjera.

Të gjitha këto deformime bashkë shkaktojnë ngecje në zhvillimin e përgjithshëm të vendit që sjellin pasoja të paparashikueshme.

Prandaj kjo Qeveri duhet patjetër të angazhohet për ndryshimin e gjendjes në arsim në përputhje me rezolutën e Kuvendit të Kosovës për arsimin, t’i kryej detyrat e saja ligjore, të ndihmoj atje ku ka nevojë, të riorganizojë atë që duhet riorganizuar dhe të sanksionoj atje ku ka shkelje, të gjitha këto, me qëllim të përmirësimit të gjendjes shumë të rënd në arsimin e Kosovë.

 

 

You Might Also Like