Gjilan

Shoqata “Pogragja” ndihmon me laptopë shkollën fillore “Liria”

Shtatë klasa të shkollës fillore “Liria” të Pogragjës, janë bërë me lap-topë për të mundësuar kështu mësim më efikas përmes projektorëve sipas metodave të reja mësimore për mësimnxënie dhe mësimdhënie, kjo falë ndihmës së shoqatës “Pogragja” për këtë shkollë.

Me iniciative të shoqatës “Pogragja” që të ndihmohet shkolla fillore “Liria”, kjo shoqatë i ka dhuruar kësaj shkolle gjashtë laptopë dhe një kompjuter bashkë me pajisjet përcjellëse për të mundësuar përdorim e menjëhershëm të tyre.

Donacioni në vlerë rreth 1700 euro që drejtorit të shkollës, Hajrush Limoni dhe mësimdhënësve, në emër të shoqatës ua dorëzua nga koordinatori i shoqatës, Sami Durmishi.

Drejtori Limoni, me këtë rast falënderoi shoqatës për këtë ndihmë, të cilën e vlerësoi si më qëlluarën dhe më të nevojshmen të pranuar deri tash, pasi siç tha ai “ me këto pajisje- laptopë shtatë klasa të shkollës sonë bëhen me laptopë duke mundësuar mësimin më cilësor përmes projektorit dhe një angazhim më të madh të mësimdhënësve dhe nxënësve”.

Ai premtoi që pajisjet e dhuruara nga do të përdoren për mësimdhënie dhe mësimnxënie më cilësore dhe do të rihen me kujdesin më të madh.

Kryesia e shoqatës “Pogragja”, me kryetar, Burim Jasharin, premtoi që kjo shoqatë, e cila prej vitesh përmes punësimit të punëtorëve përkujdeset për fshatin, rrugët, parqet e fshatit, varrezat, do t’i qëndrojmë më afër shkollës dhe nxënësve pogragjas.

Ndryshe, shoqata “Pogragja”, po ndihmon edhe ambulancën e fshatit, ku marrin shërbimet mjekësore edhe banorët e Llovces, Bilinices, Sllubices e Dobrosinit, duke blerë ampula dhe barna, që mungojnë në vlerë mujore mbi 100 euro. Për këtë qëllim muajin e kaluar me 100 euro ka ndihmuar edhe shoqata “Bilinica”.

Sikur edhe festave tjera, shoqata “Pogragja” edhe për festën e Fitër Bajramit, ndihmoi dhjetë familje nevojtare me pako ushqimore dhe higjienike.

You Might Also Like