Kamenicë

Si pritet ndërrimi i motmotit në fshatrat e brezit kufitar

Në mbrëmjen e Vitit të Ri pa pritur që të bie terri, Selver Lenjani nga Karaçeva e Poshtme e Malësisë së Kamenicës kthehet në shtëpinë e tij, ku bashkë me anëtarët e familjes pret natën më të gjatë të vitit.

Ai jeton ngjitas me kufirin dhe shpesh druan se mund të ndeshet me xhandarmërinë serbe, e cila nga viti 2001 disa herë banorëve shqiptarë u kishte thënë se një pjesë e territorit të këtij fshati janë në territorin e Serbisë.

Lenjani, që është kryetar i Bashkësisë Lokale, thotë se me vite tëra kanë punuar në sensibilizimin e të gjithëve për çështjen e kufirit, që nga institucionet e Kosovës e deri te faktori ndërkombëtar. Sipas tij, ndërrimi i motmoteve për banorët e këtij fshati si në të kaluarën gati se do të kalojë si çdo ditë e zakontë, ngase shumë nga bashkëfshatarët e tij jetojnë në kushte të vështira, derisa të tjerët lanë fshatin e ia mësynë rrafshit në kërkim të jetës më të mirë.“Jetojmë në situatë pritjeje dhe për këtë e dinë të gjithë, edhe qeveria e Kosovës edhe Kuvendi Komunal i Kamenicës e më së miri e dimë ne që heqim e jetojmë në kushte të vështira. Më shumë se gjithçka na brengos çështja e kufirit”, thotë Selver Lenjani, që shton se e duan atdheun, andaj jetojnë aty, se po të mos e donin atdheun edhe ata moti do të ishin shpërngulur. Banorët e brezit kufitar, të cilët disa herë kishin qenë të vizituar nga pushtetarët lokalë e ata qendrorë, kishin marrë porosinë që qëndrimi i tyre në këto fshatra është me interes jetik për Kosovën, ngase janë këto fshatra që shkëpusin lidhjet rrugore të Serbisë me enklavat serbe në rajonin e Anamoravs, por siç thonë banorët, u harruan premtimet për investime në infrastrukturë.

“Nëse do të krijoheshin kushte për jetë së paku do të pengohej shpërngulja e këtyre pak banorëve të mbetur, ndërkohë që investimet do të ndërronin mendje edhe të atyre që u larguan, ngase ka shumë të tillë që verën e kalojnë në fshat”, thotë Selver Lenjani që shtonë se “dëshirë e jona për Vitin e Ri është të ndjehemi edhe më të sigurt”.

Në ndërrimin e motmoteve, Selver Lenjani, falënderon të gjithë ata që u angazhuan për çështjen e kufirit në fshatin Karaçevë e Poshtme, përfshirë aty edhe gazetarët që informuan drejt dhe me kohë, andaj ai të gjithëve u uron Vitin e Ri 2024!/kryelajmi.com/.

You Might Also Like