Viti

Sokol Haliti:LDK gjithmonë ka punuar për interesin publik

 

 

Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës njëherësh kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, duke folur në Emisionin “Rubikon”, në “Klan Kosova”, ka thënë se kjo parti asnjëherë nuk ka punuar për interesa të veta të ngushta, por gjithmonë në rend të parë e ka pasur interesin publik.
“Dihet botërisht se LDK asnjëherë nuk i ka shkelë marrëveshjet me partnerë të koalicionit dhe nuk i ka tradhtuar ato. Gjithëherë kanë qenë të tjerët që i kanë prishur marrëveshjet për interesa të veta, kurse LDK e ka prioritet tê mirën publike”, ka thënë Haliti.

Ai ka thënë, poashtu, se LDK nuk është parti e vjetruar, siç po pretendojnë ta paraqesin në opinion disa oponentë të saj, por është subjekt me vlera dhe me traditë. “LDK-ja i ka vendosur bazat e demokracisë dhe shtetformimit në Kosovë. Ne kemi ditur dhe kemi guxuar të organizojmë zgjedhje edhe para 30 viteve, në kushte të jashtëzakonshme dhe të rrezikshme, kur populli shqiptar në Kosovë po përballej me represion dhe masa të rrepta nga shteti i atëhershëm policor. Ne kemi ditur gjithmonë të respektojmë vullnetin e popullit, prandaj edhe në këto rrethana të reja historike i njohim dhe vazhdojmë t’i kultivojmë këto vlera”, ka thënë si.

Haliti, ka folur edhe lidhur me vendimin e mundshëm të Gjykatës Kushtetuese që mund të sjell më 29 maj për dekretin e presidentin Hashim Thaçi, për mandatarin për formimin e qeverisë së re. Ai tha se Lidhja Demokratike e Kosovës pret që vendimi të jetë pozitiv dhe t’i lejohet mandatarit Avdullah Hoti, të formojë qeverinë e re. Sisoqoftë, Haliti ka shtuar se partia që ai përfaqëson do ta respektojë çdo vendim të Kushtetueses. Aziz Zuka

You Might Also Like