Studentët e vitit të tretë të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Arion Sinani, Kushtrim Zymeri, Elton Halimi dhe Redon Halimi, nën udhëheqjen e Prof. Asoc. Dr. Lindita Nebiu Hyseni dhe mbështetjen e Rektorit Prof. Asoc. Dr. Artan Dermaku, më datë 27 janar 2025, prezantuan Sistemin për Menaxhimin e Librarisë (SML), të cilin e zhvilluan në kuadër të lëndës Projekti SEW.
Gjatë prezantimit, ekipi demonstroi me detaje funksionalitetet e sistemit dhe mënyrën se si ky i fundit përmirëson proceset ekzistuese të librarisë. Ata gjithashtu ndanë sfidat që kishin hasur gjatë procesit të zhvillimit dhe mënyrën se si kishin arritur t’i kapërcenin ato me sukses.
Prof. Asoc. Dr. Lindita Nebiu Hyseni vlerësoi punën e palodhur të studentëve dhe theksoi rëndësinë e projekteve të tilla për përgatitjen e studentëve për tregun e punës. Ajo shprehu me bindje se Sistemi për Menaxhimin e Librarisë (SML) do të shërbejë si një model frymëzues për gjeneratat e ardhshme të studentëve, por edhe për stafin akademik. Realizimi i këtij projekti sipas profesoreshës Nebiu Hyseni, nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e Rektorit të Universitetit, Prof. Asoc. Dr. Artan Dermaku, i cili ka ofruar mbështetje të vazhdueshme për udhëheqësen e projektit dhe studentët, duke garantuar burimet e nevojshme për implementimin e projektit në nivel universiteti.
Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dermaku përgëzoi udhëheqësen e projektit dhe ekipin për punën dhe përkushtimin e treguar gjatë realizimit të projektit. Ai theksoi rëndësinë e integrimit të teknologjisë moderne në fushën e arsimit dhe mbështetjen e vazhdueshme të universitetit për projekte të tilla.
Ky sistem inovativ, që mundësoi digjitalizimin e Bibliotekës së UKZ-së, është rezultat i punës së palodhur dhe bashkëpunimit të ngushtë midis studentëve dhe udhëheqëses së projektit.
Sistemi i mundëson stafit të bibliotekës menaxhimin e proceseve të punës, si regjistrimin e librave në kopje fizike dhe elektronike, kërkesat online për huazim nga studentët, stafi akademik dhe qytetarët e Kosovës, menaxhimin e huazimit të librave si dhe gjenerimin e raporteve mbi librat e regjistruar, huazuar dhe kthyer nga huazuesit. Gjithashtu, stafi administrativ ka mundësinë e kërkimit të huazuesve që i kanë vonuar librat.
Prof. Asoc. Dr. Lindita Nebiu Hyseni gjithashtu, ka falwnderuar zyrën e IT-së për gatishmërinë e tyre gjatë gjithë procesit të hostimit në serverët e universitetit, duke përfshirë edhe fundjavën.
Ky angazhim tregon përkushtimin e menaxhmentit të lartë, stafit akademik dhe administrativ të universitetit për të mbështetur arritjet teknologjike dhe akademike.
Prezantimi i Sistemit për Menaxhimin e Librarisë (SML) është i rëndësishëm në jetën akademike të studentëve, institucionit dhe qytetarëve.
Ky projekt jo vetëm që dëshmon aftësitë teknike dhe kreative të studentëve, por gjithashtu nënvizon rëndësinë e mbështetjes institucionale dhe bashkëpunimit për të arritur rezultate të jashtëzakonshme. Me këtë projekt, udhëheqësja e projektit dhe studentët e vitit të tretë jo vetëm që përmbushën një pikë kulmore të karrierës së tyre, por gjithashtu vendosën një standard të ri për projekte të ardhshme në universitet.