Ka mjaftuar një erë e lehtë dhe telat e rrymës kanë marrë flakë në afërsi të Çerdhes së Fëmijëve “Ardhmëria II” në Gjilan. Kjo nuk është hera e parë që banorët e kësaj lagjeje përballen me një gjë të tillë, ngase kjo u kishte ndodhur edhe para disa viteve, kur atyre u ishin shkatërruar pajisjet shtëpiake.
Këtë të premte, flaka nga telat e rrymës u shpërnda edhe në kabllot tjera, ato të telefonave dhe kabllove të internetit dhe përpos që qytetarët e lagjeve përreth për disa orë u desh të përballen me mungesë rryma, ata kanë ngelur pa rrjet internet, për rregullimin e të cilit duhet të presin ditën e shtunë.
Shkaku i kabllove që vazhdonin të digjeshin, edhe rruga kryesore në këtë pjesë që është shumë e ngarkuar për një kohë ka qenë e mbyllur, deri sa problemi është sanuar.
Qytetarët, menjëherë kishin lajmëruar organet gjegjëse dhe deri në ardhjen e tyre qytetarët dhe këmbësorët po ecnin nën kabllot që po digjeshin e njëra prej tyre edhe u këput.
Të parët në vendin e ngjarjes erdhën policia, që morën situatën nën kontroll dhe nisën të rregullojnë komunikacionin dhe të sigurojnë edhe vendin e ngjarjes, kurse pas tyre erdhën edhe punëtorët e KEDS-it, të cilët pas një kohe sanuan problemin, në kohën kur kabllot tjera vazhdonin të digjeshin.
Sipas tyre, deri te problem ka ardhur shkaku i drunjve që aty pari janë rritur së tepërmi dhe tash kanë kaluar edhe shtyllat elektrike. Në këtë pjesë instalimet janë tejet të vjetra, kurse pikërisht në këto shtylla nga druri që fare nuk dukeshin të sigurta janë vendosur edhe shumë kabllo të të tjera, duke krijuar një “Xhungël telash” që gjithsesi se paraqesin rrezik për qytetarët. /Kryelajmi.com/.
Fotot: Elona Sadiku