Drita nga Gjilani është kampioni i Kosovës për edicionin 2017/2018. Skuadra bardh e kaltër, e cila tre vite më parë ndryshoi edhe strukturat udhëheqëse, kishte bërë një stinor të jashtëzakonshëm duke e kurorëzuar me titullin e kampionit.
Përveç titullit, Drita arriti të marrë edhe Superkupën e Kosovës.
Dy trofe të fituar si dhe dalja në Evropë, ku u paraqitën me plot sukses, e kanë shndërruar ekipin gjilanas një skuadër shumë të respektuar në Kosovë.
Për sukseset e Dritës dhe të ardhmen e klubit bardh e kaltër, në një intervistë për Telegrafin ka folur presidenti i tyre, Valon Murseli.
Po futemi në vitin e tretë që ke ardhur në krye të Dritës, si po ndiheni si president i këtij klubi?
Murseli: Ndihem jashtëzakonisht mirë. Me qenë president i Dritës është privilegj, por njëkohësisht është edhe përgjegjësi e madhe duke ditur dashurinë e madhe që kanë qytetarët për klubin Drita.
Drita këtë vit ka arritur të fitojë titullin e kampionit, Superkupën e Kosovës dhe të luajë në garat evropiane? Sa jeni i kënaqur me këtë vit dhe realisht a i keni pritur këto suksese?
Murseli: Realisht ky është viti më i suksesshëm në histori të klubit, sepse kemi arritur që për një vit t’i marrim dy trofe të rëndësishëm. Ajo që e bënë më të veçantë dhe që normalisht jam shumë i kënaqur është paraqitje në Evropë.
Një pjesë e rëndësishme në histori jo vetëm të klubit, por edhe në historinë e futbollit kosovar. Të jem i sinqertë, me ekipin të cilin arritëm ta ndërtojmë kam qenë shumë optimist sepse kam besuar shumë në lojtarët e mijë.
Sa je i kënaqur me paraqitjen e skuadrës ne garat evropiane?
Murseli: Pasi që për ne ka qenë përvojë e re dalja në Evropë, normalisht që kam qenë shumë i kënaqur. Se a kemi mundur të arrijmë më shumë, besoj që po mirëpo duke ditur që është vetëm hera e parë për ne në Evropë, jam shumë i kënaqur me të arriturat në garat evropiane.
Thuajse që tri vite në krye të Dritës, sa para janë shpenzuar nga ju dhe bashkëpunëtorët e tuaj gjatë kësaj periudhe?
Murseli: Nuk ka shumë rëndësi se sa para janë harxhuar, pasi ky nuk ka qenë asnjëherë problemi për ne. Puna e shkëlqyer që po bëhet në klub na bënë që ne mos të mendojmë asnjëherë për aspektin financiar.
Cili është momenti më i mirë si president i Dritës?
Murseli: Titulli i kampionit padyshim. Superkupa ka qenë qershia mbi tortë.
Cili është momenti më i keq për ju si president i Dritës?
Murseli: Nuk ka mundësi të kesh momente të këqija kur je pjesë e familjes së madhe bardh e kaltër.
Tifozët ju kanë përkrahur jashtëzakonisht shumë, si është marrëdhënia e juaj me ta?
Murseli: Marrëdhëniet me tifozët janë të shkëlqyera, ata bëjnë punën e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme.
Cili lojtar i Dritës deri më tani ju ka lënë më së shumti përshtypje?
Murseli: Mendojë që ajo që më ka lënë më së shumti përshtypje është grupi. Kemi shumë lojtarë kampion kështu që është vështirë të bësh dallime.
Cilin futbollist do ta dëshironit ta shihni me fanellën e Dritës?
Murseli: Ka shumë futbollistë që mund të ishin pjesë e klubit tim. Dëshirat e mia në aspektin profesional dallojnë shumë, kështu që në këtë rast veprojmë konform kërkesave të klubit e jo dëshirave të mia personale.
Cilat janë objektivat e Dritës për vitin 2019?
Murseli: Tani më e dini që nuk e kemi filluar siç duhet kampionatin dhe objektivi i jonë është Kupa e Kosovës. Shpresojë që ta arrijmë sepse në ekip kemi lojtarë kampionë dhe besoj shumë në ta.
E keni përmendur se dëshironi të ndërtoni një kompleks sportiv për klubin, ku keni arritur deri më tani me këtë projekt?
Murseli: Pasi Federata e Futbollit të Kosovës ka mbështetur me një projekt të gjitha klubet e Superligës, me të marrë në pronësi atë kompleks ne do të vazhdojmë aty ndërtimet shtesë për ta bërë atë një kompleks gjigant dhe shumë funksional ashtu siç e kemi menduar. Kjo besoj që do kohë.
Planet e Valon Murselit për të ardhmen me FC Dritën?
Murseli: FC Drita tani më është një klub shumë serioz dhe plani im është që Drita të jetë një ekip konkurrues në arenën ndërkombëtare dhe të jetë një skuadër evropiane.