“Fest Flaka”2025 – Festival i interpretuesve të Muzikës Popullore Shqipe
Gërmim në themelet e një shtylle të “Flakës…” ’25 nga “DefkoProduction”
Vështrim kritik nga Prof. Mehmetali Arifi, muzikolog
“Flaka e Janarit” si një ngjarje e rëndësishme multi-kulturore, unike në formë e përmbajtje, që në fillet e ideimit dhe të organizimit të saj, nga Shoqata e Pavarur Kulturore, këtu e 34 vjet më parë, në të katër shtyllat e saj: letërsi, teatër, muzikë dhe arte pamore, pati vendosor, dy bazamente në formë të “betonuar”: fizionominë mbarëkombëtare, sikundër edhe karakterin garues, në të gjitha shtyllat e organizimit.
Çka synohej me vendosjen e këtyre dy bazamenteve?
Me konceptin mbarëkombëtar mëtohej të nderohej sakrifica sublime e dëshmorëve dhe martirëve, të rënë në altarin e lirisë, të bëhej edhe ndonjë hap më tutje, drejtë jetëzimit të amaneteve të tyre. Ndërsa karakteri garues, ishte vendosur me qëllim që të nxisë e frymëzoj artistët, nga fusha të ndryshme të artit, në kultivimin dhe afirmimin e vlerave të qëndrueshme artistike, si vlera shpirtnore, që do të shërbenin në ruajtje të identitetit nacianal.
Këto që thash, nuk janë përcepcione, por argumente faktike të padiskutueshme.
Por, edicioni i sivjetshëm i “Fest Flakla” 2025, gjegjësisht Festivali i Interpretëve të Muzikës Popullore Shqipe, i realizuar nga Organizata “Defko Production”, i shfaqur më: 30.01. 2025, në sallën e teatrit të qytetit, nga ora 20:00 , “gërmoi si me kazëm” pamëshirshëm, gati sa nuk e shkërmoçi njërën prej shtyllave identitare të “Flakës…”
“FEST FLAKA” 2025 — Festivali i Interpretëve të Muzikës Popullore Shqipe
Organizata “Defko Production”, respektivisht drejtuesi i saj, prof. Defrim Behluli, me lehtësi marramendëse, injoron konceptet bazike të “FLAKËS …”, duke shpërfillur, nga njëra anë, fizionominë mbarëkombëtare të manifestimit; nuk pati as edhe një përfaqësues të vetëm, as nga Shqipëria administrative, as nga Ilirida, as nga Malësia ( Mali i zi) e as nga Lugina e Preshevës (hiq moderatoren A.Boriqi), dhe nga ana tjetër, eleminon karakterin garues, të cilin e praktikon, pa përjashtim, çdo
shtyllë tjetër e “Flakës…”
Si rezultantë e këtyre dy veprimeve, të pajustifikueshme, na shpërfaqet një “kosova-centrizëm” agresiv e përbuzës, duke injoruar kështu, vlerat që përfaqësojnë interpretuesit nga trevat tjera shqiptare, të sipërshkruara.
Tendenca për me e fsheh, masku këtë “kosova-centrizëm, përmes këngës epike, nuk ka sens, nuk dhezë, nuk mundet kush me na e shitë “sapun për djath.”
Pra, kjo nuk është respekt për sakrificën sublime të dëshmorëve, por krejt e kundërta, mosndjeshmëri e madhe ndaj tyre e ndaj amaneteve të tyre. Ata, heronjët, dëshmorët janë njerëz të zakonshëm, veç shumë të guximshëm, karshi sfidave e padrejtësive. Dhe kjo I bën shumë të veçantë. Nuk e duan glorifikim. Pikë.
“Kush nuk e respektosh traditën, është njësoj si një fëmijë që nuk i respekton prindërit e vet.” sentencë e çmueshme filozofike.
Dhe, kur krejt kjo bëhet, jo për mungesë profesionalizmi, por për makijavelizëm: “qëllimi arsyeton mjetin”, kjo pastaj është shumë shqetësuese dhe alarmante…
Shqetësuese dhe alarmante është edhe fakti që institucioni DKRS, duhet jo vetëm me i mbështetët projektet, gjë po e bën, por edhe me e mbikqyrë realizimin.
“Flaka e Janarit” është institucion të cilin Ministria e Kulturës e ka marr në mbrojtje si trashëgimi vlerore shpirtnore, prandaj lënja në dorë OJQ-ve konkuruese, organizimin “me ramje të lirë”, duhet ndyshu. Minimalisht, kornizat e manifestimit, parimet themelore, nuk duhet lejuar të nëpërkëmbën.
Më gëzoi fakti se, asnjëra nga shtyllat tjera, nuk ka bërë shkelje të tilla, siç janë bërë te “Fest Flaka” 2025.
Festivali i Interpretëve të Muzikës Popullore Shqipe, për më shumë se dy decenie është i profilizuar si i tillë dhe për këtë shkak aty nuk duhet të ket vend për këngën e lehtë, ndërsa në formacioni orkestral nuk duhet lejuar instrumentet që bien ndesh me traditën, siç janë: bateritë elektronike, pianot elektrike e saksafoni. Për këtë dukuri devijante kam shkruar gjërësisht, vite më parë, artikullin “Abnormalizimi i normëzuar” dhe tani nuk dua të përsëritem. Modele të vlershme për ta tejkaluar këtë problematikë të ndjeshme, janë dy ansamblet tona shtetërore.
Në përfundim, duke abstrahuar për një çast, anën konceptuale me të cilën nuk mund të pajtohem kurr, dua të shpreh vlerësimin tim pozitiv, për komponentēt tjerë që u shfaqen në Festivalin e Interpretëve të Muzikës Shqipe.
Skenografia ishte funksionale, ndërkalljet elektonike në sfond ku prezentohej, titulli i këngës dhe interpretuesi, sikundër edhe mendime të spikatura nga personazhet, ndriçimi i mjaftueshëm, ndërsa miksimi i zërimit ishte më mirë se kurdoherë tjetër, dhe kjo bëri që edhe instrumentistët edhe solistët të kenë vetkontroll dhe të mos ketë shkarje, çfar mund të ndodh shpesh në paraqitjet “live”. Edhe dirigjimi ishte në element, padyshim.
Por, formacioni i tillë orkestral, askush mos ta rrej veten, nuk e ka vendin në “Fest Flaka” sepse bie ndesh me parimet e festivalit, i cili është i profilizuar dhe nënkuptohet lehtë edhe nga vet emërtimi “FESTIVALI I INTERPRETËVE TË MUZIKËS POPULLORE SHQIPE. Dhe kënga lirike shqipe, pa e përjashtuar atë epike, nuk guxon të mungoj, siç ndodhi sivjet në “Fest Flaka” 2025.