Libri

VROJTIMET IDENTIFIKUESE NË ARTERIET E PROZËS SË AFRIM DEMIRIT

Nexhat Rexha

VROJTIMET IDENTIFIKUESE NË ARTERIET E PROZËS SË AFRIM DEMIRIT

Afrim Demiri: “ Figura e 17-të” ,Botoi  SHB “ Beqir Musliu”,2023.fq. 166.

Vëllimi me tregime“ Figura e 17-të”, shënon pikëtakimet në shtrirje  të gjerë të rrëfimit prozaik, si artikulim i botës së brendshme të Afrim Demirit. Libri përbëhet nga 40 tregime, brenda vorbullës gërshetohen dukuritë shoqërore, të cilat kanë preokupim të thellë në depërtimet e në rrjedhën e ngjarjeve, të cilat në vete bartin kërshërinë e parashtrimit të tyre sa më autentik. Në këto kondita rrëfimtare hapen faqet e para të librit me tregimin” Njeriu i ideve”, më saktësisht këto janë ide kërkimtare për të kurorëzuar fjalën në artikulim të përcaktimit sa më të konkretizuar. Tregimet kanë shtrirje të gjatë kohore, si në trajtueshmëri e  në parashtrime, poashtu ato të japin  edhe refleksionin në jetën shkrimore të autorit. Një pjesë e tregimeve kanë kaluar leximin në vlerësim të jurive të ndryshme në konkurset anonime, kjo dëshmon se një pjesë e këtyre tregimeve janë vlerësuar për t’i qëndruar kohëve. Sidoqoftë, këto tregime  janë botuar më parë nëpër revista të ndryshme, ato kanë bërë jetën e tyre në lexim te një pjesë e lexuesve.

Mirëpo, botimi i tërësishëm i tregimeve në libër, ofron mundësi  më të mira  për lexuesin, kështu, ato të japin mundësinë e komunikimit sa më universal në rrjedhën e parashtrimit e të përjetimit. Në tregimet e Afrim Demirit, narracioni të krijon mundësinë e kërkimit të mëtejmë për të arrirë në konceptimin e protagonistëve, të cilët krijojnë situata në përfoljen për  njeriun e ideve, sikundër ikja e tij nga qyteti dhe shiu, janë shfaqje, të cilat krijojnë mitin dhe paragjykimin për njeriun vizionar dhe të heshtur nëpër kohët e ndryshme.

 Përditshmëria në psikën e luftës në disa tregime

Në periudhën e luftës në Kosovë(1999), dhe pas përfundimit të saj, krijimet artistike kanë shpalosur veçanti të ndodhive në prekje të sekuencave, të cilat autori i ka përjetuar në pamje  e përjetime. Realiteti artistik korrespondon me ngjarje e protagonistë, të cilët kanë bartur  me vete, skena  nga më të ndryshmet. Nëpër këto trajtime, disa tregime të Afrim Demirit të ofrojnë përjetimin, dhe si të këtilla ato krijojnë analogjinë e përditshmërisë për këtë periudhë  komplekse për njeriun tonë. Ngjarjet në tregime nuk kanë ndonjë vend të njohur historik, vendi i zhvillimit të këtyre ngjarjeve është i të gjithëve, sepse personazhet sikur kanë të njëtin fat, ata krijojnë një realitet në vete. Duke krijuar këtë realitet, personazhet e  këtyre tregime bëhen pjesë e historisë njerëzore, të cilët bartin me vete fate dhe krijojnë  shtresime artistike në botën reale. Përditshmëria krijon absurdin e kohës, në psikikën e vrasjeve dhe diktateve që nuk lejojnë komunikim me ndërgjegjen njerëzore. Ngjarjet të japin pamje të dhunimeve të femrave, të cilat portretizojnë pikturimin tragjik të kësaj kohe. Ndërlidhja e skenave  të luftës ka pikëpamjet dhe paragjykimet luftës dhe të pasluftës. Në tregimin “Qeni dhe derri” autori të ofron katër pamje, në realitet fokusimi i këtyre pamjeve reflekton në përditshmëritë e kohëve, autori e ilustron  bukur këtë realitet.” E çuditshme, shqiptarët nuk mund të jetonin në luftë, kurse serbët në paqe” fq.47.  Koha për njeriun  e kësaj periudhe ka  krijuar  tjetërsimin e tij deri të absurditet, sepse personazhi Besi, shpëtimin e tij e gjen vetëm aty ku nuk mund të depërtojnë rrezet e diellit. Strehimi i tij te “ Bira e Arushës”, kurthon veten dhe komunikon me peizazhet e zymta të vrasjeve dhe djegien e shtëpive, nuk beson se lufta  ka marrë fund, e bënë jetën në vetmi, gjithnjë qëndron në komunikim me përjetimet e tija, ai vetëm pas tre muajve e kupton nga loja e fëmijëve se lufta ka përfunduar.

Pastaj vijnë kërkesat e një pasnjëshme për të hulumtuar për vrasjet që ndodhën gjatë vitit 1999, shtohen kërkesat për të gjetur të vrarët, janë këto situata faktike, ato krijojnë imazhe të identifikimit të mozaikut emërtues të biografive të të zhdukurve. Ndërkaq, në tregimin “Drita e ftohtë”, autori ka vënë në spikamë dukuri që flasin me pamje të ftohta, ato krijojnë përfytyrimin e këtyre ngjarjeve, që në ndërdijen e atyre njerëzve  rikthehet  e kaluara e përgjakshme në kompozitën Frigori-ferr, ai shkruan: ”Kjo lojë morbide i ishte shpeshtuar kur mësoi se në një liqen në Serbi një frigorifer po nxirrte kufoma njerëzish mbi ujë. Si nga një përbindësh legjendash, nga frigoriferi pa zhurmë dhe pa dritë po dilnin kufomat, duke ia dhënë ujit mundësinë që të flasë në emër të tyre. Të vërtetën uji e nxirrte, siç nxjerr një valë zemërimin”. Fq.60. Në këtë  rrëfim lufta e vitit 1999, dhe frigoriferi, si analogji për jetën e ngrirë të njerëzve, e që këto pamje të japim trishtimin e dy anshëm, kur trupat e pajetë dilnin nga liqeni krijojnë absurdin edhe për banorët e saj ane. Tregimet në vëllimin“ Figura e 17-të”, kanë përsosshmërinë psikologjike në referim të pakushtëzuar për t’i dhënë  përgjigjen shumë pikëpytjeve, të cilat determinojnë pikëpamjet socio-historike në ekzistencën njerëzore, për të ndryshuar e dhënë vetëdijsim qenies njerëzore kah e nesërmja. Në tregimin“ Ndërtesa e kuqe”, me mjeshtri artistike, autori ka ndërlidhur kohët dhe njerëzit, ata komunikojnë të strehuar në podrume, dialogimi i tyre dhe  profesionet me nam, sikur kishin humbur vlerën përkundër pozitave e titujve shkencor të tyre që kishin dikur. Në anën tjetër, autori paraqet  portretin e diktatorit përmes ngjyrës së kuqe të asaj ndërtese, ku ngjyra e kuqe e socializmit po zhdukej me fundin e kësaj lufte.

Tematika universale 

Në një pjese të tregimeve, autori,  rrëfimeve i ka dhënë shtrirje universale, si tematikë, dukuri e ndodhi shoqërore, që kalojnë fatet njerëzore nëpër këto realitete kohësh. Tregimet bartin me vete; përjetime, pikëpamje, shfaqje e dokumentaritete të memories njerëzore. Kështu, lexuesi mund të kuptojë e depërtojë në këto ndërtime artistike, si imagjinatë dhe fenomen realitetesh të këtyre proceseve  njerëzore, të cilat shtrojnë diktate nëpër rrjedhat e kohëve. Afrim Demiri, ka shfrytëzuar me mjeshtri leksikun e zgjedhur me frazeologjizma dhe  pjesë të traditës mitike. Të gjitha këto ndërlidhje, kanë afri në mes botës ballkanike me topografi të kuptueshme, të cilat vijnë si artikulime të pazbërthyeshme, në shumë raste me ndodhi e shëmti, që krijojnë dilemë të pasqaruar të fakteve e ngjarjeve të ndodhura, si vrasjet enigmatike, të cilat kurrë nuk marrin tretmanin e njohjes së krimit. Këto dukuri e ndodhi, kanë bazamentin e kultivuar nëpër shumë epoka e sundime, në arealin e vendit tonë.

Në librin me tregime“ Figura e 17-të”, Afrim Demiri, figurës metaforike i ka dhënë ndërlidhje filozofike me botën reale të protagonistëve, ata në komunikimin e ngjarjeve, duken sikur nuk kanë ndonjë rol të veçantë në ndodhinë e ngjarjeve. Mirëpo, veprimet dhe të padukshmet në shumë raste zbërthejnë e shpalosin botën e intimiteteve të tyre, ko qasje e parashtrimit të ngjarjeve e protagonistëve përcakton idenë e autorit në dhënien e kuptimësisë së mesazhit të brendshëm të prozës së tij, në të gjitha variantet e tregimeve. Përditshmëria e jetuar si përjetim i jep frymëzimet e përbashkëta të protagonistëve, ata artikulojnë nëpër këto rrëfime të kaluarën, si bartës të ngjarjeve të përditshmërisë, duke i dhënë jetë e fuqizim ëndrrave e të bëmave të tyre. Në një prekje  të vogël , dalin shpeshherë dukuri të mëdha, të cilat të japin produktin funksional në zbërthimin e dukurive  tradicionale, si në tregimin “ I daluri nga filmi”:

“Filmi m’i kujtonte rrëfimet e dëgjuara, duke ngrënë darkën kur babai tregonte se si dikur njeriu ka lexuar fatin e të ardhmes në shpinën e pulës. Aty do të kenë parakaluar betejat dhe vrasjet si në balada” fq.131-132.

Libri përmbyllet me tregimet që prekin  artin e dashurisë, për të lidhur fatet e breznive, si në tregimet: “Ara e Nuses ,”Kerri i kuq” dhe “Udhëtimi ilegal i një lulaku”.

Libri me tregime “Figura e 17-të”, brenda tërësisë së  tij, determinon  në konkretizim të ngjarjeve, me figuracionin e pasur artistik, leksikor dhe me ngjeshje të ndërtuara në fjalëformim të standardizuar në kuptimësinë e tyre. Vepra  në lexim të parë të orienton në kërkim  të vetëdijsimit për ekzistencën e qenies sonë, duke shtrirë përjetimin si  depërtim në rrjedhat e realiteteteve të projektuara nga tradita kah modernja. Vepra si e këtillë dëshmon për vlerën estetike dhe përvojën krijuese të autorit. Tregimet nga njëri në tjetrin, identifikojnë e plotësojnë idetë në konsolidim të rrafshit artistik, dhe si manifestim shfaqin qartësinë për fjalën e gdhendur brenda  identitetit krijues.

Gjilan, Dhjetor 2023.

You Might Also Like