OPINION

10 vjet ngadalshëm, por Kosova është e jona

Jemi në prag të festës së madhe të shtetësisë së Kosovës, të shënimit të 10 vjetorit të Pavarësisë së saj. Kosova dhe populli i saj do të festojë në mënyrë dinjitoze këtë jubile të rritës së saj. Pavarësisht ecjes së ngadalshme, defekteve që ka dhe pengesave tjera të jashtme dhe të brendshme, Republika e Kosovës, përkundër pritjeve tona më të mëdha, ka shënuar progres dhe ka të arriturat e saj për ta festuar dinjitetshëm këtë përvjetor jubilar.

E panevojshme më duket lufta ’’facebook’’- ianë e kundërshtive rreth flamurit. Po që të dy janë tanët. Çtë keqe ka këtu ?! Njëri përfaqëson identitetin tonë kombëtar, tjetri atë shtetëror.

Ndërtimin e shtetësisë së Kosovës dhe zhvillimin e mbarë të saj, askush nuk mund ta ndalë, ashtu siç nuk mundi askush ta ndalë lirinë dhe pavarësimin e saj, të ndërtuar mbi themelet e sakrificës sublime të UÇK-së dhe luftës së brezave të tërë për liri dhe pavarësi.

Pavarësinë e Kosovës e kanë shpallë deputetët e Kuvendit të Kosovës, përfaqësuesit e popullit, të cilët vijnë nga partitë politike të Kosovës, sikundër që këta po vendosin për fatin e vendit. Ky është sistemi, kështu është në demokraci. Këta deputet të zgjedhur, ky lidership i shtetit e i partive politike të Kosovës, po ashtu i zgjedhur, është produkt i këtij populli, që ka determinuar këto procese, produkt i këtyre qytetarëve që u bënë “copë” mes vete, jo vetëm për Flamur.

Fundja, e gjithë kjo luftë fjalësh; të mira e të këqija, të serta e të buta, asnjëherë nuk do të ndalen. Njëri kundërshton tjetrin, thotë se s’e ka mirë. Ky tjetri poashtu nuk pajtohet, thotë se ai vet mirë e ka. Kjo luftë (demokratike), kështu me kundërshti, nuk ndalet, pavarësisht shkallës së edukimit e civilizimit tonë shoqëror-politik, pavarësisht shkallës së zhvillimit dhe të avancimit të shtetit të Republikës së Kosovës. Megjithate kjo është e mirë si vlerë, mbi bazën e së cilës pashmangshëm është ndërtuar ky sistem – Demokracia, me postulatin themelor të saj: dominimin e mendimit të shumicës, duke e respektuar edhe mendimin ndryshe.

Ky rregull është kështu (nuk e kemi shpikur ne!), dhe kështu do të jetë deri sa qenia njerëzore nuk pëson regres evoluiv.

Gëzuar!

Shefik Surdulli /këshilltar komunal, Gjilan/

You Might Also Like