
Shkruan: Shemsi Doda
NËNA
Teksti: Florian Zeller
Regjia: Erson Zymberi
Aktorët: Aurita Agushi, Ernest Zymberi, Gani Rrahmani dhe Tringa Hasani
Drama e Zellerit është e përqendruar te Ana, një grua në moshë të mesme që përballet me sindromën e “shtëpisë së zbrazët”. Djali i saj është rritur dhe është larguar nga shtëpia, ndërsa marrëdhënia me bashkëshortin është ftohur. E lënë pas dore dhe e vetmuar, ajo humbet gradualisht lidhjen me realitetin.

Regjia e Erson Zymberit në këtë dramë psikologjike fokusohet te vetmia, izolimi dhe obsesioni prindëror, të cilat shkaktojnë një krizë të thellë emocionale. Pikërisht kufiri i paqartë mes reales dhe imagjinatës ndërton boshtin dramatik të kësaj vepre të fuqishme.

Skenat e përsëritura, me ndryshime të vogla në detaje, e hutojnë publikun deri në atë masë sa shpesh bëhet e vështirë të dallohet se çfarë është reale dhe çfarë është fiktive.
Rolet
Ana (Aurita Agushi) realizon një interpretim brilant, duke shfrytëzuar me mjeshtëri elementet e aktrimit modern. Me intonacion, diksion dhe mizanskenë të përpunuar me kujdes, ajo luan aq bindshëm sa pothuajse çdo moment i personazhit duket krejtësisht real.
Pierre (Ernest Zymberi) është korrekt në rol. Ai luan ftohtë, pa emocione të theksuara, por mbetet i qartë, i artikuluar dhe i saktë në dialog, duke zbatuar me përpikëri kërkesat regjisoriale.
Nikolas (Gani Rrahmani) sjell një interpretim të saktë dhe korrekt. Personazhi i tij bart elemente të abuzimit emocional, ndërsa aktori mbetet bindës në realizimin e rolit.
Elodie (Tringa Hasani) është korrekte dhe bindëse në paraqitjen e saj. Luajtja e saj karakterizohet nga finesa dhe kontrolli, megjithëse ekspresiviteti në disa momente mbetet disi i ngurtë.
Sidoqoftë, shfaqja ka rrjedhshmëri, përcjell emocion dhe sjell një mesazh të fortë në kohën kur shumë të rinj, edhe nga Kosova, largohen në kërkim të një jete më cilësore.
Skenografia e Bekim Korçës është kreative dhe në përputhje të plotë me atmosferën e dramës. Pllakat e përdorura në skenë shtojnë ndjesinë e ftohtësisë psikologjike, duke e theksuar edhe më shumë largësinë emocionale që ekziston në çiftin e këtij rrëfimi.
Kostumet, ndriçimi dhe efektet skenike e pasurojnë pamjen vizuale të shfaqjes, duke krijuar herë pas here përshtypjen sikur ndodhesh pranë detit.
Muzika është një element që relakson ritmin e shfaqjes në momente të caktuara, duke ulur tensionin emocional si te aktorët, ashtu edhe te publiku.
Shfaqja luhet në skenë, ndërsa pjesa e ulëseve (auditoriumi) shfrytëzohet për efekte dhe pamje fiktive, duke i dhënë veprës një perspektivë vizuale interesante.
Publiku e priti mirë shfaqjen, duke e shpërblyer me ovacione dhe duartrokitje të gjata.


