Trashëgimi

Kujunxhitë (argjendarēt) e Gjilanit dikur

Shkruan: Faik Zyiazade
Kujunxhilleku apo argjendaria ishte zeje artistike, me vlerë të trashëgimisë kulturore, me origjinë të vjetër, kurse nga qytetet e
Kosovës më e përhapur ishte në Prizren, për të cilin ka shënime që nga shekulli XVIII. Atëbotë prodhimet zejtare të Prizrenit dhe qyteteve tjera të Kosovës shiteshin nē vise të tjera të Perandorisë Osmane dhe në Evropë. Sipas disa të dhënave, kjo zeje shkallën më të lartë të zhvillimit në Kosovë, kishte arritur në shekullin XIX. Argjendaria ishte e lidhur me xehetarinë nga ku siguroheshin metalet fisnike-ari e argjendi, të cilat siguroheshin nga xeheroret e Trepçës dhe Novobërda,por edhe nga shkrirja e gjësendeve të vjetra.Kujunxhinjtë merreshin kryesisht me prodhimin e punimeve të ndryshme artistike, zbukurimin e objekteve të llojllojshme prej ari e argjendi, stolive të ndryshme si dhe me shitblerjen e arit e argjendit dhe gurëve të çmueshëm. Ata punonin unaza, vathë, byzylykë, kollanë, qostekë, cigarallëk, thika, kuti, lugë, bënin stoli të armëve, çantave nga argjendi etj. Me këtë rast, si mjeshtër të metaleve fisnike, vlen të përmenden janjevasit, të cilët edhe në shek. XIX, nuk e kishin ndërpre traditën e trashëgimtarëve të tyre, edhe në mungesë të arit e argjendit ata kishin arritur që ta vazhdojnë shkrirjen e bronzit e mesingut nga të cilat bënin unaza,vathe, kandila e të tjera të cilat i dërgonin në shitje edhe në vise të largëta.Shitjen e gjërave, të tyre tradicionale, janjevasit,
vazhduan t’i shitnin edhe në tregun e Gjilanit deri rreth viteve 60-ta të shek. XX.Edhe kjo zeje paralel me rrjedhat e ngjarjeve dhe zhvillimeve shoqërore, sa vinte e zhvillohej, por gjithnjë duke iu përshtatur kohës, vendit dhe standardit jetësor. Autori Milivoje Saviq, thotë se kësaj zejeje, si në qytete tjera edhe në Gjilan në kohën osmane, punët i shkonin më mirë.
Në literaturën ekzistuese për vitet 1914-1928, thuhet se në Gjilan punonin tri dyqane argjendarësh.
Në regjistrin e zejtarëve të Rrethit të Gjilanit, për periudhën kohore 1921-1941, të cilët posedonin leje pune, me të drejtë për
hapjen e dyqanit, hasim në emrat e dy argjendarëve Shaban
Hasani dhe Boshko Gigiq. Edhe në bazë të regjistrave të pas Luftës së
Dytë Botërore, të Odës Zejtare të Rrethit nga viti 1945-1963, hasim të regjistruara 2 dyqane zejtare private të argjendarisë nga të njëjtit
pronarë, pra të Shaban Hasan Selimit dhe të Boshko Gigiqit.
Të dhënat e mëvonshme statistikore shënojnë se në Gjilan ishte i
regjistruar një punëtori e pavarur e argjendarisë, ajo e Shaban H.
Selimit i njohur në Gjilan si Shaban Kujunxhia, i cili ishte Kujunxhiu
i fundit në Gjilan. Pas vdekjes së Shabanit, për një kohë edhe pas
viteve 70- ta, vajzat e tij kanë vazhduar të punonin në atë dyqan, ku
bënin riparime të stolive nga ari e argjendi, kurse pas kësaj kohe, është shuar zeja e kujunxhinjve në Gjilan. Kujunxhitë e Gjilanit me
dyqanet e tyre ishin të përqendruara në Qendrën zejtare nën Xhami të Madhe. Siç dihet, tani numri i dyqaneve të argjendarisë, të vendosura në qendrën e dikurshme zejtare, është mjaft i madh, mirëpo ata merren me shitblerjen e punimeve të gatshme të arit e të argjendit, disa merren edhe me riparime të pjesshme, por jo edhe me përpunimin e arit e të argjendit.
Shēnim: Më gjerësisht rreth zejës së kujunxhive e keni librin “Zejtaria e Gjilanit” i cili gjendet në shitje tek libraritë “Alfabeti” tek shkolla “Thimi Mitko” dhe libraria “Abetarja” përballē shkollës Selami Hallaqi”.

You Might Also Like