Libri

Beqir Musliu është shkëlqimi i këtij qyteti që të tjerët nuk e kanë

Njësia për Kulturë, Rini dhe Sport (NJKRS) ka prezantuar të martën para Komitetit për Kulturë, Rini e Sport (KKRS) aktivitetet e periudhës korrik – gusht si dhe planet e saj për muajt vijues të këtij viti. Shpresa Kurteshi, kryesuese e kësaj trupe komunale, ka thënë se edhe pse korriku e gushti kanë qenë muaj vere, këta tre sektorë kanë zhvilluar aktivitete të shumta.

Bashkim Nexhipi, koordinator i NJKRS, ka thënë se nën moton “Ti je pjese e atdheut”, kushtuar mërgimtarëve, janë zhvilluar një sërë aktivitetesh kulturore, rinore e sportive, ku ka veçuar shfaqjen e filmave të shkurtër shqiptar, koncertet me muzikë rok dhe popullore, një performancë të artit bashkëkohor dhe turizmit rural, shfaqje teatrale dhe të tjera.

Sa u përket muajve të tjerë, Nexhipi ka thënë se në Teatër ka filluar përgatitja e dy shfaqjeve dhe njëra prej tyre, “Kërkohet një kloun plak” është dhënë premierë mbrëmë, ndërsa tjetra, “Im atë e donte Adolfin” pritet të përfundohet nga fundi i muajit.

Kemi bërë përgatitjet për ekspozitën e artit pamor ,,Salloni vjeshtor”, që do të hapet më një tetor dhe ku do të marrin pjesë artistë nga shtete të ndryshme të Evropës, përfshirë edhe vendet që kanë njohur Kosovën, ka thënë ai.

Pos projekteve tjera, tani jemi duke u përgatitur edhe për “Flaka e Janarit 2017”, manifestim ky tradicional kulturor, ka thënë Nexhipi, duke e ritheksuar nevojën për rritjen e buxhetit për kulturë.

Ky manifestim do të ketë risi në program edhe sivjet, siç ka pasur edhe vitin e kaluar.

“Flaka e Janarit” është një sfidë e veçantë për Komunën e Gjilanit, sepse është një manifestim i madh mbarëkombëtar, që kërkon mjete dhe angazhim shumë të madh”, ka thënë Nexhipi.

Kujtim Shahiqi, përgjegjës i sektorit për Kulturë, ka thënë se çdo aktivitet i planifikuar është kryer. “Ne si task-forcë e kemi vënë në binarë kulturën”, ka thënë Shahiqi, duke nënvizuar se përgatitja e gjashtë premierave brenda një viti, nga një teatër që është përballur me probleme teknike-juridike, është aktivitet që nuk e kanë arritur as teatrot në rajon.

Janë subvencionuar grupet muzikore, botimet e librave si dhe aktivitet të tjera kulturore, ka thënë Shahiqi.

Shpresa Kurteshi tha se KKRS i ka dhënë mbështetje sektorëve të linjës, duke rikujtuar se ajo e ka paraqitur në Kuvend Komunal kërkesën për ndarjen e një shumë prej 70 mijë euro për teatrin e qytetit, ku ka marrë përkrahje dhe është miratuar, edhe pse paraprakisht ishte refuzuar në KPF.

Duke u përgjigjur në interesimet e anëtarëve të KKRS, rreth çështjeve konkrete, Kurteshi ka thënë se në seancën e ardhshme të Kuvendit Komunal do ta ri-aktualizojë kërkesën për gjetjen e mjeteve buxhetore për botimin e dorëshkrimeve të Beqir Musliut.

Edhe Nexhipi ka thënë se duhet bërë të pamundurën për botimin e veprave të Musliut. “Gjilani duhet të krenohet me Beqir Musliun, sepse ai është shkëlqimi i këtij qyteti, që të tjerët nuk e kanë”, ka thënë ai.

Përndryshe, në të gjitha këto çështje, me pyetje dhe diskutime kanë kontribuar edhe Arzie Nuhiu, Shpresa Hajdari, Enver Haziri dhe të tjerë.

You Might Also Like