Nuk i bëri as dy ditë në shtëpi të vet dhe Naser Ibrahimi, polic i Kosovës që me biçikletë bëri qindra kilometra nga Gjilani deri në Shëngjin, tashti ka ndërmarrë një udhëtim tjetër edhe më sfidues.
Naser Ibrahimi, që ka shkelur të gjashtëdhjetat, por që është në formë jetësore, ka ndërmarrë edhe një udhëtim tjetër. Ai është nisur prej Gjilanit në drejtim të Vitisë dhe ka kaluar magjistralin në Fushën e Pajtimit, është ngjitur maleve të Sharrit dhe nëpërmjet vendkalimit kufitar në Glloboqicë ka mbërrirë në Tetovë. Superpolici i Kosovës ka vazhduar më tej në drejtim të Gostivarit dhe nëpërmjet Kërqovës, prej aty ka mbërrirë në Strugë.
Naser Ibrahimi, ka kaluar 224 kilometra për të mbërrirë në Strugë dhe krejt këtë rrugë ai e ka përshkruar për 12 orë e 41 minuta.
Lexuesit tanë tashmë janë në dijeni se Naseri ka disa cilësi që rrallëkush i ka. Ai në mes të janarit lahet në borë, verës noton në pishinën e Uglarit dhe i bënë aq xhiro sa vjet i mbush, ka dhjeta këngë të incizuara në Radio Gjilani e ka dhjeta hite, edhe muzikën popullore nuk e lë anash, kurse ai sigurisht se do të përgatis edhe befasi të radhës.