LAJME

Cili kongresist kishte kërkuar në Gjilan që Kosova dhe Amerika të festonin pavarësinë më 4 korrik ?

Kongresisti që përfaqësoi dhe mbrojti fuqishëm kërkesat e shqiptarëve të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Joe DioGuardi, së bashku me bashkëshorten Sherly, kishte vizituar Gjilanin në korrik të vitit 2003, ku kishte prezantuar Rezolutën 28, e cila kërkonte njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Është e qartë se në Kosovë nuk mund të ketë paqe e progres, pa pavarësinë e saj”, kishte thënë asokohe DioGuardi.

Ai ishte adhurues i modelit amerikan të qeverisjes në Kosovë. “E sugjeruam edhe Sali Berishën që ta bënte këtë në Shqipëri, pas përmbysjes së diktaturës, por ai nuk e përfilli dhe prandaj dështoi, ndërsa Shqipëria udhëhiqet përsëri nga ish-komunisti Nano”, kishte thënë kongresisti.

Duke përshkruar angazhimin e tij, të bashkëshortes dhe të Ligës Shqiptaro-Amerikane për të drejtat e shqiptarëve, DioGuardi tha se për ne nuk është e domosdoshme që ky popull të jetojë në një shtet, por është e rëndësishme që shqiptarët të jenë të barabartë, kudo që jetojnë, ndërsa Kosova të jetë e pavarur.

DioGuardi dhe bashkëshortja e tij Sherly kishin sugjeruar që shpallja e pavarësisë së Kosovës të bëhej nga Parlamenti, më 4 korrik, ditën kur edhe SHBA-të festojnë pavarësinë e tyre.

“Është shumë e rëndësishme që SHBA-të dhe Kosova të festojnë pavarësinë e tyre në të njëjtën ditë”, kishte thënë ish-kongresisti në Gjilan, duke rikujtuar se, para se të nisej për në Kosovë, i kishte shkruar një letër presidentit Bush, ku ritheksonte faktin se Amerika nuk ka miq të më mëdhenj në Ballkan se sa shqiptarët, prandaj i kërkonte që të angazhohet për njohjen e menjëhershme të pavarësisë së Kosovës.

Siç dihet, pavarësia e Kosovës u shpall në vitin 2018, më 17 shkurt. /Ilmi Musliu/

You Might Also Like