Ballafaqimi në mes të parit në tabelë, Dritës me të fundit Feroniklit ’74 ka nisur me një befasi të dorës së parë, ngase që në minutën 12, mysafirët nga Drenasi kanë ardhur në epërsi me golin që e ka shënuar futbollisti i tyre Leart Zekolli, i cili nga largësia ka gjuajtur furishëm dhe saktë, duke qëlluar këndin e poshtëm të djtahtë të portierit Maloku për rezultatin 0:1. Atë që e kishte paralajmëruar trajneri Zekirija Ramadani, se kundërshtarin nuk duhet nënçmuar sikur ndodhi në këtë ndeshje.
Me të pranuar golin, Drita u hodh në sulm për të barazuar, por me gjithë rastet e mira që i pati nuk ia doli që të shënojë, andaj pjesëloja e parë u mbyll me rezultat 0:1 në të mirë të Feroniklit ’74.
Në minutën 53, Drita pati rast të mirë shënimi, kur pas harkimit të Besnik Krasniqit, Dabiqaj gjuajti me kokë, por portieri i Feroniklit, Prince Marley e ndali topin. Një minurë më pas rezultati është barazuar, kur Selmani ka harkuar nga e majta dhe topin që ka shkuar në shtyllën e dytë me mjeshtëri e ka qëlluar Rron Broja, duke e futur topin mbi duart e portierit për të barazuar 1:1.
Në minutën 62, Almir Ajzeraj e mashtroi Demirin në brendi dhe ai ndërhyri keq në sulmuesin e Dritës, andaj gjyqtari dha penalti. Besnik Krasniqi mori përgjegjësinë dhe mashtroi portierin Prince, që e dërgoi në anën e djathtë, megjithatë topi doli jashtë shtyllës së majtë dhe rezultati ngeli i pandryshuar. Pas harkimit nga këndi të Bes. Krasniqit, Tusha gjuajti me kokë, por portieri Prince shpëtoi gol të sigurt. Në minutën 72, sërish harkoi Krasniqi, por Ajzeraj që ishte i vetmuar gjuajti mbi portë. Ajzeraj gjuajti me kokë edhe në minutën 73, por Prince sërish e priti topin. Në minutën 80 gjuajti Besnik Krasniqi, por ai qëlloi vetëm rrjetën e jashtme. Në minutën 89, Manaj shpërdoroi një harkim të mirë të Be. Krasniqit, pasi që topin që e goditi me kokë e dërgoi pranë pingules së djathtë.
Në minutën e dytë të shtesës pas harkimit në brendi nga ana e Brojës, më i larti ishte Manaj, që shënoi për rezultatin 2:1. Në fund qendërmbrojtësi i Feroniklit Lleshi pati rast të mirë për të barazuar, por gjuajtja e tij shkoi mbi portë dhe rezultati mbeti i pandryshuar. /kryelajmi.com/.