Futboll

Drita humb rastin e artë për t’u shkëputur

 

Drita mbetet lider në tabelën e klasifikimit në Superligën e Kosovës në futboll, por ekipi bardhë e kaltër nuk ia ka dalë që të arrijë fitore në ballafaqim me Vëllaznimin e Gjakovës.

Gjakovarët që në fillim të ndeshjes kanë bërë me dije se kanë ardhur për një pikë e ata me të gjitha forcat janë përqendruar në mbrojtje, shpesh edhe duke e zvarritur lojën, qoftë duke ekzekutuar ngathtë çdo ndërprerje, apo edhe duke u shtrirë në fushë vend e pavend.

Drita megjithatë pati disa raste të mira shënimi, por që nuk i konkretizoi. U desh që të vije minuta 65, kur përfundimisht mbrojtja e Vëllaznimit u dorëzua. Nga një shpërthim nga e djathta, Musaj harkoi në brendi e nga afërsia Rexha futi topin në këndin e poshtëm të majtë të pambrojtur të Muhaxhirit. Vendësit, të kënaqur me rezultat ishin më pak të rrezikshëm, bile u mendua se fitorja erdhi kur në minutën 73 Ilir Syla i mysafirëve u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.

Çuditërisht, Vëllaznimi i mbyllur, kur mbeti me dhjetë lojtarë në fushë ishte shumë i rrezikshëm dhe kryesisht u dallua këmbëshpejti Rugova, që i sillte telashe mbrojtjes vendase. Në një shpërthim të tijin nga e djathta në të është ndërhyrë në mënyrë të palejueshme dhe ishte pikërisht Rugova që harkoi në brendi, kurse më së larti u shkëput zëvendësuesi Vula që me kokë futi topin në rrjetë. Përkundër përpjekjeve të mëdha të vendasve, më nuk kishte ngelur kohë që të bëhej diç më shumë, andaj ndeshja përfundoi me rezultat të barabartë 1:1.

You Might Also Like